Mbi 76,000 njerëz janë evakuuar nga rajoni Kursk i Rusisë, ka njoftuar Ministria lokale e Emergjencës.
Bëhet e ditur se Rusia ka evakuuar 76,000 njerëz nga rajoni i saj kufitar i Kurskut, ndërsa trupat ukrainase po përparojnë në territorin rus në inkursionin më të madh që nga pushtimi në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022.
Ndërkohë, së fundmi Moska shpalli një emergjencë të “nivelit federal” në rajon – katër ditë pasi qindra trupa ukrainase sulmuan përtej kufirit në atë që dukej të ishte sulmi më i madh i Kievit në tokën ruse që kur Kremlini filloi një pushtim në shkallë të plotë kundër Ukrainës në vitin 2022.
Luftimet në Kursk kanë marrë vëmendje të konsiderueshme nga mediat ruse, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Pjesa më e madhe e mbulimit kishte të bënte me situatën humanitare – fëmijët që dërgoheshin në strehimore me autobusë, si dhe njerëzit nga rajone të tjera ruse që mbledhnin ushqime dhe furnizime të tjera për t’i dërguar në Kursk.
Siç raportohet, rreth 20 strehimore të përkohshme që strehojnë mbi 1,200 njerëz thuhet se janë organizuar në Kursk.
Ndërsa njerëzit vazhdojnë të ikin nga luftimet, do të hapen më shumë strehimore. /Telegrafi/