Telegrafi

Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë 115 të burgosur nga secila anë – pamje të takimit të tyre me të afërmit

Rusia dhe Ukraina shkëmbyen 115 robër lufte nga secila palë të shtunën pasi Emiratet e Bashkuara Arabe vepruan si ndërmjetës.

Ky është shkëmbimi i parë i tillë që kur Ukraina nisi një sulm të befasishëm në rajonin Kursk të Rusisë më 6 gusht, sulmi më i madh brenda territorit rus nga një fuqi e huaj që nga Lufta e Dytë Botërore, përcjell Telegrafi.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, ushtarakët rusë të shkëmbyer u kapën në rajonin e Kurskut.

Të gjithë ushtarët rusë të liruar janë tani në Bjellorusi dhe do të marrin trajtim mjekësor dhe rehabilitim pas kthimit të tyre në Rusi.

Ministria shprehu mirënjohjen për rolin e Emirateve të Bashkuara Arabe në lehtësimin e shkëmbimit të të burgosurve.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky postoi foto me të burgosurit ukrainas të mbështjellë me flamujt blu dhe të verdhë të vendit dhe të përqafuar me njëri-tjetrin. Ai tha se të kthyerit ishin ushtarakë të rojeve kufitare, të gardës kombëtare, të marinës dhe të forcave të armatosura.

Sipas Dmytro Lubinets, komisioneri i Ukrainës për të drejtat e njeriut, 82 nga ukrainasit e kthyer mbrojtën portin e Mariupolit në vitin 2022.

Duke konfirmuar rolin e saj në lehtësimin e shkëmbimit, Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se numri i përgjithshëm i robërve të shkëmbyer përmes përpjekjeve të saj ndërmjetësuese tani kishte arritur në 1,788. /Telegrafi/