Pamje nga qyteti i rrethuar ukrainas i Mariupol tregojnë tymin që ngrihet nga zona e fabrikës së çelikut Azovstal mes zhurmave të shpërthimeve të forta.
Dhe këto vijnë pasi që forcat ruse po nisin sulme të reja në kompleksin e rrënuar, sipas deklaratave nga të dyja palët.
Sipas CNN, përcjell Telegrafi, gjatë gjithë natës uzina u godit nga artileria, artileria detare dhe aeroplanët.
Si pasojë, “dy gra civile në një nga bunkerët u vranë si rezultat i një sulmi masiv ajror”, tha Denys Shlega, një komandant i Gardës Kombëtare, për televizionin ukrainas nga Azovstal.
Ndërkohë regjimenti Azov postoi imazhe të trupave të dy grave brenda kompleksit.
“Që në mëngjes, armiku është përpjekur të sulmojë fabrikën Azovstal me forca të konsiderueshme duke përdorur mjete të blinduara. Ushtarët tanë i zmbrapsin me guxim të gjitha sulmet”, citohet të ketë thënë Shlega.
Edhe Sviatoslav Palamar, një komandant i Regjimentit Azov gjithashtu brenda kompleksit, i tha CNN të martën se Azovstal “tani po sulmohet”.
Spitali fushor ishte dëmtuar rëndë dhe “mjekët që kryejnë operacionet janë në kushte shumë të vështira dhe bëjnë gjithçka është e mundur. Aktualisht në uzinë janë rreth 500 të plagosur”, ka shtuar Shlega.
Ndryshe, sipas raportimeve, rreth 200 civilë janë ende në fabrikë, duke përfshirë rreth 20 fëmijë, tha Shlega.
Në anën tjetër, media shtetërore ruse RIA Novosti raportoi të martën se luftëtarët ukrainas “përfituan nga armëpushimi në Azovstal dhe morën pozicionet e qitjes”.
Gazeta citoi zëdhënësin e ministrisë ruse të mbrojtjes Vadim Astafiev.
Por RIA Novosti raportoi se trupat ruse vazhdojnë të sulmojnë ato pozicione të qitjes.
“Ata kanë lënë bunkerët dhe kanë marrë pozicione mbrojtëse në territorin e uzinës. Aktualisht, forcat e armatosura ruse kanë filluar t’i shkatërrojnë ato pozicione me artileri dhe aviacion”, citohet të ketë thënë Astafiev.
Të dielën, rreth 100 civilë mundën të largoheshin nga centrali në një evakuim të organizuar nga Kombet e Bashkuara dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, por që atëherë nuk ka pasur evakuime. /Telegrafi/