Telegrafi

Rusia ‘bombardon qytetin ukrainas ku ndodhet centrali bërthamor’

Forcat ruse kanë goditur në Enerhodar, qytetin ku ndodhet centrali bërthamor i Zaporizhzhia, ka thënë në Telegram shefi i shtabit të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Sipas Sky News, përcjell Telegrafi, ai e bëri pretendimin së bashku me një video të zjarrfikësve që shuan makinat e djegura.
“Ata provokojnë dhe përpiqen të shantazhojnë botën”, citohet të ketë thënë Andriy Yermak.

Ushtria e Ukrainës raportoi më herët granatimet e nëntë qyteteve të tjera në anën e kundërt të lumit Dnipro.

Gjithashtu pretendohet se forcat ruse goditën shtëpitë në qytetin kryesor të Zaporizhzhia, i cili është rreth dy orë me makinë nga uzina, dhe qytetin e Orikhiv më në lindje.

Por Rusia ka lëshuar “kundër-pretendime”, duke thënë se nëntë predha të lëshuara nga artileria ukrainase ranë në terrenin e uzinës.

Zëdhënësi i ministrisë ruse të mbrojtjes Igor Konashenkov tha: “Për momentin, personeli teknik me kohë të plotë po monitoron gjendjen teknike të centralit bërthamor dhe po siguron funksionimin e tij”.

“Situata e rrezatimit në zonën e centralit bërthamor mbetet normale”. /Telegrafi/