Forcat ruse po kryenin punë sekrete në centralin më të madh bërthamor në Evropë, sipas operatorit të energjisë bërthamore të Ukrainës.
Sipas Euronews, përcjell Telegrafi, Energoatom, ndërmarrja shtetërore ukrainase që operon katër termocentralet bërthamore të vendit, tha se forcat ruse kanë kryer punë sekrete ndërtimi gjatë javës së fundit në termocentralin bërthamor të okupuar në Zaporizhzhia.
Dhe oficerët rusë që kontrollojnë zonën nuk duan t’i japin qasje stafit ukrainas që drejton uzinën ose monitoruesve nga mbikëqyrësi i energjisë atomike i OKB-së, tha Energoatom në një deklaratë të martën.
Kjo vjen pasi rriten frika se Kremlini mund të synojë ta bëjë Zaporizhzhia vendin e operacionit të supozuar që përfshin një pajisje bërthamore.
Ndryshe, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu bëri një pretendim të pabazuar se Ukraina po përgatitej të lëshonte një të ashtuquajtur bombë të pistë.
Shoigu e ngriti akuzën gjatë fundjavës në telefonatat me homologët e tij britanikë, francezë, turq dhe amerikanë.
Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara e refuzuan atë menjëherë si “qartësisht të rreme”.
Ukraina hodhi poshtë gjithashtu pretendimin e Moskës si një përpjekje për të shkëputur vëmendjen nga planet e supozuara të Kremlinit për të shpërthyer një bombë të pistë, e cila përdor eksplozivë për të shpërndarë mbetje radioaktive në një përpjekje për të mbjellë terror.
E Energoatom tha se “supozon” se rusët “po përgatisin një akt terrorist duke përdorur materiale bërthamore dhe mbetje radioaktive të depozituara në central”.
Ndërmarrja i bëri thirrje Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) të vlerësojë se çfarë po ndodhte. /Telegrafi/