Një zyrtar ukrainas u ka thënë rusëve në territorin e okupuar të Krimesë që të largohen sa më shpejt të jetë e mundur.
Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, Oleksiy Danilov tha se linjat ruse të fortifikimit japin sinjale se Moska ka frikë se do ta humbasë gadishullin.
“Ata e kuptojnë se është vetëm çështje kohe para se të vijmë dhe t’i largojmë”, tha Danilov, raporton skynews.
“Dhe unë do t’i këshilloja të gjithë që sa më shpejt të shfrytëzojnë infrastrukturën që kanë sot [urën e Kerchit] për të qenë të sigurt. Ata nuk mund të shpëtojnë përmes Ukrainës”, pohoi ai.
Më herët sot, ministria e mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se Rusia po ndërton “mbrojtje të reja” rreth Krimesë.
Ukraina ka sinjalizuar se planifikon të rimarrë gadishullin, i cili është pushtuar nga Rusia që nga viti 2014. /Telegrafi/