Telegrafi

Rusët shpenzojnë miliona euro për mbrojtjen “Toblerone”: Po rritet frika nga një pushtim i mundshëm ukrainas

Rajoni i Kurskut i Rusisë duhet të shpenzojë 3.2 miliardë rubla (40 milionë euro) për ndërtimin e fortifikimeve kufitare kundër tankeve deri më 5 korrik të këtij viti, që është e barabartë me një të tretën e buxhetit vjetor të shëndetësisë dhe më shumë sesa shpenzon për strehimin dhe shërbimet komunale.

Kursk tashmë po ndërton fortifikime përgjatë kufirit me rajonin Sumy të Ukrainës. Guvernatori i rajonit, Roman Starovoit, ka publikuar fotografi të shumta të mbrojtjeve, të cilat përfshijnë llogore, dhëmbë dragoi, të cilët ukrainasit i quajnë “mbrojtje toblerone” dhe bunkerë të parafabrikuar.

“Rreziku i një pushtimi të armatosur ukrainas në territorin e rajonit të Kurskut nuk është i lartë. Megjithatë, ne jemi vazhdimisht të angazhuar në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të rajonit”, tha Starovoit.

Avito, ekuivalenti rus i eBay, aktualisht ka më shumë se 100 listime nga prodhuesit e barrierave antitank betoni, të cilat përgjithësisht shiten për 6,000-8,000 rubla (73-80 euro). Disa prodhues madje i dërgojnë ato te klientët.

Grupi mercenarë rus, Wagner bleu shumë prej tyre për ndërtimin e fortifikimeve në rajonin e pushtuar të Luhansk dhe në rajonin rus të Belgorodit, megjithëse projekti “Wagner Line” u ndërpre kështu pas mosmarrëveshjeve me guvernatorin e Belgorodit.

Bunkerët që po instalohen në Kursk janë shumë të ngjashëm, nëse jo identikë, me ata që u panë vitin e kaluar duke u transportuar në rajonet e pushtuara Kherson dhe Zaporizhzhia të Ukrainës. Por duket se ukrainasit nuk e kishin shumë të vështirë t’i shkatërronin.

Kostoja totale e të gjitha këtyre projekteve nuk dihet, Rusia nuk e ka njoftuar atë, por duke marrë parasysh sa shpenzon vetëm Kursk, ndoshta do të arrijë në dhjetëra miliarda rubla. Kjo paraqet një mënyrë tjetër në të cilën lufta po e zbraz “thesarin” rus. /Telegrafi/