Telegrafi

Rusët po pretendojnë se kanë nën kontroll Mariupolin, por pamjet e filmuara nga ajri dëshmojnë të kundërtën

Në një video të postuar së fundmi nga pjesëtarët e batalionit Azov në Ukrainë që prej ditësh janë të rrethuar përreth fabrikës së çelikut Azovstal në Mariupol, mund të shihen duke zhvilluar luftime të ashpra kundër ushtrisë ruse.

Në videon e filmuar nga ajri me dron dhe që u postua në profilin zyrtar të forcave të armatosura të Ukrainës, mund të shihen luftimet e ashpra që po zhvillohen nëpër rrugët e qytetit port, ku forcat ruse nga ky batalion ka pësuar humbje të mëdha siç edhe mund të shihet në video, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Nëna e dy fëmijëve rrëfen për jetën që po e bën në bunker në qytetin e Mariupolit

“Mbrojtja e Mariupolit po vazhdon. Pavarësisht numrit të madh të ushtarëve të armikut, luftëtarët e Azovit kanë filluar kundërsulmet”, thuhet në mbishkrimin përbri videos.

E derisa ushtria ruse pretendon se ka nën kontroll të plotë tërë Mariupolin, pamjet e batalionit ukrainas Azov tregojnë të kundërtën – duke i shkaktuar humbje të mëdha Kremlinit.

E presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ditë më parë ka bërë të ditur se eliminimi i luftëtarëve ukrainas në Mariupol do t’i jepte fund bisedimeve për paqe. /Telegrafi/