Telegrafi

Putin nuk po mund ta pushtojë tërë Ukrainën – Shefi i ushtrisë ruse thotë se tani kanë një objektiv tjetër

Shefi i ushtrisë ruse thotë se Rusia tani do të përqendrojë përpjekjet kryesore të luftës në “çlirimin e plotë” të rajonit lindor të Ukrainës – Donbasin.

Ministria e Mbrojtjes tha se Rusia kishte shqyrtuar dy opsione për “operacionin special ushtarak” – një që mbulonte të gjithë Ukrainën dhe tjetri duke u fokusuar në Donbas.

Komentet – të përcjella nga agjencitë shtetërore ruse të lajmeve – lanë të kuptohet për një ulje të mundshme të synimeve të presidentit rus, Vladimir Putinit. Forcat ruse kanë hasur në rezistencë të fortë në veri të Ukrainës dhe rreth Kievit.

Sergey Rudskoy, kreu i departamentit kryesor operacional të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse, tha se 93 për qind e rajonit të Luhanskut dhe 54 për qind e rajonit të Donetskut ishte nën kontrollin rus, raporton bbc.

“Rusia kishte shkatërruar shumicën dërrmuese të forcave ajrore dhe marinës së Ukrainës, dhe kjo shënoi fundin e suksesshëm të fazës së parë të konfliktit”, tha ai.

Megjithatë, ministria e mbrojtjes nuk përjashtoi mundësinë e sulmit në qytetet tjera që janë bllokuar, tha se Rusia do të reagonte menjëherë ndaj çdo lëvizjeje për të mbyllur hapësirën ajrore mbi Ukrainën – diçka që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka kërkuar vazhdimisht.

Ministria tha gjithashtu se Rusia do të vazhdojë pushtimin derisa objektivat e vendosura nga Putin të ishin arritur, njoftoi agjencia e lajmeve Ria, pa specifikuar se cilat ishin objektivat. /Telegrafi/