Telegrafi

Rusët i frikësohen kundërofensivës së Kievit, ushtria ukrainase po grumbullon tanke dhe mjete tjera të blinduara në rajonin e Khersonit

Ushtria ukrainase ka filluar të grumbullojë numër të madh të tankeve dhe mjeteve tjera të blinduara në hyrjet e daljet të rajonit Kherson, ka njoftuar sot zëvendës-shefi i këtij rajoni Kiril Stremousov.

Ai është zëvendës-shefi i administratës, që në Kherson u vendos nga Moska pas pushtimit të këtij rajoni, transmeton Telegrafi.

“Shumë mjete luftarake janë koncentruar në këtë rajon që përbëhen kryesisht nga tanke dhe mjete tjera të blinduara”, tha ai në një video të postuar në Telegram.

Në anën tjetër, shtoi se po vazhdon evakuimi i banorëve në anën e majtë të brigjeve të lumit Dnipro.

“Njerëzit në qytet akoma mund të largohen dhe të braktisin anën e djathtë të brigjeve”, shtoi ai.

E presidenti rus Vladimir Putin tha të shtunën se mbështet evakuimin e civilëve nga Khersoni, pasi që ushtria ukrainase po avancon në këtë qytet port që ka rëndësi të madhe strategjike.

Ndryshe Kievi po akuzon rusët se dhunshëm po i detyronte banorët të evakuohen nga Ukraina, që po konsiderohet si krim lufte, e këto pretendime Moska i mohon. /Telegrafi/