Ministria e Jashtme e Rumanisë ka thirrur të ngarkuarin rus në ambasadë e këtij vendi në Bukuresht, pasi pjesë të reja të një mjeti ajror pa pilot të ngjashëm me ato të përdorura nga ushtria ruse, u zbuluan në tokën rumune, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Agerpres në faqen e saj të internetit.
Të shtunën, autoritetet rumune zbuluan se grupi i dytë i pjesëve të dronëve u rrëzua në një vend anëtar të NATO-s brenda një jave, mes sulmeve ruse në portet e Ukrainës, vetëm disa qindra metra nga kufiri rumun.
Sulmet kanë rritur rreziqet e sigurisë për NATO-n, anëtarët e së cilës kanë një detyrim për të mbrojtur vendin, transmeton Telegrafi.
“I ngarkuari me punë i ambasadës së Federatës ruse në Bukuresht është thirrur urgjentisht të shtunën në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në nivel të Sekretarit të Shtetit”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
“Sekretari i Shtetit për Çështjet Strategjike, Iulian Fota, përcolli protestën e palës rumune për shkak të shkeljes së hapësirës ajrore rumune pas identifikimit në territorin (tonin), afër kufirit me Ukrainën, të disa fragmenteve të mjeteve ajrore pa pilot të ngjashme me ato të përdorura nga forcat ruse në agresion kundër Ukrainës”, thuhet në njoftimin për shtyp të ministrisë.
Të shtunën, presidenti Klaus Iohannis tha se zbulimi i fragmenteve tregon për një shkelje të papranueshme të hapësirës ajrore të Rumanisë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se sulmet ruse pranë kufirit ishin “destabilizuese” edhe nëse nuk kishte indikacione se Rusia synonte Rumaninë, anëtare e NATO-s.
Që nga korriku, kur Moska braktisi marrëveshjen që hoqi bllokadën ruse të porteve ukrainase në Detin e Zi, portet ukrainase përtej kufirit të lumit Danub me Rumaninë janë goditur vazhdimisht. /Telegrafi/