Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, e ka pritur një grup të banorëve nga fshatrat e Kosovës në kufi me Malin e Zi me të cilët ka diskutuar për demarkacionin me shtetin fqinj.
Adem Grabovci u ka premtuar banorëve se nuk do të preken interesat e tyre në këtë vijë kufitare.
Ai tha se çështja është trajtuar me seriozitetin më të madh nga institucionet e vendit.
Ndërkohë, një nga përfaqësuesit e fshatrave, Ali Lajqi, tha se kufiri i caktuar nga komisioni për demarkacion në Qeverinë e Kosovës nuk përkon me kufirin e asnjë viti më parë.
Kurse, Rasim Mulaj, tha se i ka mbetur në Mal të Zi varreza e babës e babagjyshit me vijën e re të kufirit të caktuar nga shteti i Kosovës.
Banorët e këtyre fshatrave i ka pritur Adem Grabovci me një grup të deputetëve nga kjo parti. /kp/