Site icon Telegrafi

Rubio tregon se pse aktualisht SHBA-ja po bisedon direkt vetëm me Rusinë për luftën në Ukrainë

Shefi i diplomacisë amerikane, Marko Rubio, deklaroi në lidhje me bisedimet mes SHBA-së dhe Rusisë se qëllimi kryesor i Uashingtonit është të verifikojë nëse Moska është “serioze” për mundësinë e përfundimit të luftës në Ukrainë.

“Ende nuk mund t’i përgjigjem pyetjes nëse ata janë seriozë për paqen”, tha Sekretari amerikan i Shtetit për gazetaren Catherine Herridge në një intervistë të transmetuar mbrëmë në rrjetin social X.

Rubio u takua me delegacionin rus, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, më herët këtë javë në Arabinë Saudite.

Shefi i diplomacisë amerikane hodhi poshtë idenë e fillimit të bisedimeve me Rusinë pa përfshirë Kievin dhe aleatët evropianë të Uashingtonit.

Lexo po ashtu Pas takimit në Riad, Rubio: Palët duhet të bëjnë kompromise për përfundimin e luftës në Ukrainë

“Është e padrejtë të thuhet se nuk jemi konsultuar me askënd për këtë çështje”, tha Marko Rubio, duke siguruar se ka biseduar me ukrainasit “gjatë këtij procesi”.

“Po ashtu, nuk është e vërtetë që nuk kemi konsultuar aleatët tanë në Evropë”, shtoi Rubio, duke theksuar se ka biseduar me “pesë ministra të jashtëm” si para ashtu edhe pas takimit me rusët.

Ndryshe, Rubio pas takimit në Riad të Arabisë Saudite të delegacioneve amerikane dhe ruse, kishte deklaruar se palët e përfshira në luftë duhet të bëjnë kompromise. /Telegrafi/

Exit mobile version