Site icon Telegrafi

Rrugët në veri vazhdojnë të jenë të bllokuara, situata aktualisht është e qetë

Rrugët në veri të vendit vazhdojnë të jenë të bllokuara edhe gjatë ditës së sotme, nga barrikadat që u vendosën aty një ditë më parë nga serbët lokalë.

Pavarësisht që gjatë natë së mbrëmshme pati shpërthime të shumta dhe të shtëna me armë, situata sot në veri aktualisht është e qetë.

Kështu ka konfirmuar për REL-in, drejtori i policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti.

Përveç forcave të Policisë së Kosovës, situatën në veri janë duke e monitoruar edhe pjesëtarë të KFOR-it dhe EULEX-it.

Pak qytetarë shihen nëpër rrugët e veriut, ndërsa forca të shtuara të Policisë së Kosovës dhe karabinierë italianë ndodhen mbi urën kryesore të Ibrit në këtë qytet.

Vendosja barrikadave në Rudarë erdhi në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq nga radhët e komunitetit serb.

Si rrjedhojë, Policia e Kosovës mbylli rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë. /Telegrafi/

Exit mobile version