Site icon Telegrafi

Rruga e vështirë drejt liberalizimit, shkak i mungesës së rezultateve të Kosovës në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar

Bashkimi Evropian po vazhdon t’ua shuaj shpresat kosovarëve për lëvizje të lirë në zonën Shengen. Që nga shtatori i vitit të kaluar nuk ka kurrfarë lëvizje pozitive nga ana e BE-së për liberalizim të vizave, e kjo po thuhet të jetë shkaku i zgjedhjeve në Parlamentin Evropian që pritet të mbahen në maj këtij të viti.

Madje edhe nga vetë ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ditë më parë deklaroi se rruga drejt liberalizimit është vështirësuar.

Lexo po ashtu Ministrja Hoxha flet për vizat dhe taksën, thotë se rrethanat janë të vështira të parashikohet çështja e liberalizimit 

Lidhur me këtë, Demush Shasha nga instituti “Epik”, ka thënë për Telegrafin se ngritja e pritjeve ndaj qytetarëve të Kosovës në vitin 2018 për liberalizimin e vizave ishte e pabazë dhe jo reale nga ana e institucioneve.

” Ne si instituti EPIK e kemi shprehur shqetësimin se liberalizimi i vizave nuk mund të ndodhë në vitin 2018 për shkak mungesës së rezultateve në fushën e sundimit të ligjit, me theks të veçantë në luftën kundër nivelit të lartë të korrupsionit. Kosova ka humbur shumë kohë për arsye tërësisht politike. Ne kemi humbur momentumin pozitiv që ekzistonte në vitin 2016 për shkak mungesës së konsensusit të spektrit politik lidhur me çështjen e demarkacionit i cili i ka kushtuar qytetareve te Kosovës tre vite bllokadë dhe izolim”, ka thënë Shasha.

Ai ka shtuar se në vitin 2016, BE-ja hapi derën Kosovës që të jetë pjesë Zonës Shengen, por skena politike e Kosovës refuzoj këtë ofertë duke mbajtur kështu qytetaret e Kosovës të vetmit në Ballkanin Perëndimor pa të drejtën e lëvizjes së lirë.

Kosova është me një situatë ku dy institucionet e BE-së: Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian vlerësojnë që Kosova ka përmbush gjithë kriteret për liberalizimin e vizave. Sidoqoftë, përkundër vlerësimit të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, Vendet Anëtare të BE-së apo Këshilli i BE-së nuk është duke e ndarë vlerësimin e njëjte me dy institucione të cekura”, u shpreh Shasha.

Lexo po ashtu Hoxha: S'ka kritere shtesë për liberalizim, heqja e vizave nuk varet nga Kosova

Sipas tij, skepticizmi i shfaqur nga Këshilli i BE-së bazohet në mungesën e rezultateve të Kosovës në kuadër luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Dy vite pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë për korrupsion. Vitin e kaluar Kosova ka shënuar hapat mbrapa në sundimin e ligjit, kemi pas rast të shkeljes së vetë kushtetutës së vendit, konventave ndërkombëtare dhe ligjeve pozitive te Republikës se Kosovës”, tha ai.

Shasha shtoi se i gjithë ky regres në fushën e sundimit të ligjit është element shtesë që ka thelluar skepticizmin e vendeve anëtare dhe ka bllokuar procesin e liberalizimit të vizave.

Duke folur rreth asaj se sa mundet të zgjatet procesi i liberalizimit, Shasha ka theksuar se institucionet e Kosovës nuk duhet të përmendin datat rreth çështjes së liberalizimit të vizave dhe në vend të kësaj duhet të fokusohen në vazhdimin e përmbushjes së të gjitha 95 kritereve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, me theks të veçantë në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, ku dy vite pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë.

“Nëse Kosova shënon progres të shtuar në këtë drejtim, procesi i liberalizimit të vizave mund të kthehet në agjendën e institucioneve të BE-së dhe të progresoj në kuadër të gjashtë hapave procedural të mbetur për të siguruar lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës”, theksoi Shasha nga instituti “Epik”

Kujtojmë se në korrik 2018, Komisioni Evropian vlerësoj se Kosova ka përmbushur të gjitha 95 kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Më tutje, në shtator 2018 Parlamenti Evropian votoj pro nisjes së negociatave mes Parlamentit, Këshillit të BE-së dhe Komisionit Evropian për të siguruar lëvizje e lirë për qytetarë e Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version