Telegrafi

Rritje befasuese e prodhimit në Gjermani, pavarësisht nga çmimet e larta të energjisë elektrike

Industria gjermane e rriti prodhimin në muajin shtator më shumë se sa pritej, pavarësisht nga çmimet e larta të energjisë. Ekonomistët megjithatë presin edhe më tej një recesion.

Ndërmarrjet gjermane, të mbërthyera nga inflacioni, kriza energjetike, lufta në Ukrainë dhe mungesa e materialeve, arritën megjithatë ta rrisin prodhimin e tyre në shtator. Industria, ndërtimi dhe furnizuesit e energjisë së bashku prodhuan 0.6 për qind më shumë se në muajin e kaluar, njofton Zyra Federale e Statistikave.

Ekonomistët e anketuar nga Reuters kishin pritur një rritje prej vetëm 0.2 për qind.

Në muajin gusht, prodhimi ra më tej me 1.2 për qind. Kjo shifër ishte madje 2.6 për qind më e lartë se në shtator 2021. E megjithatë rënia e fundit e porosive që vijnë si dhe indeksi i klimës së biznesit IFO, e cili ka rënë prej muajsh, vazhdojnë të flasin për një recesion në semestrin e dimrit, siç shpjegohet nga kryeekonomisti i Commerzbank, Jörg Krämer.

“Megjithatë, ky recesion nuk duhet të jetë aq i thellë sa gjatë krizës së koronas, për sa kohë sa depozitat e gazit të mbushura mirë dhe furnizimet e larta të gazit e përjashtojnë racionimin e gazit”, thekson Krämer.

Këtë e tregon edhe një sondazh i institutit IFO në Mynih. Sipas kësaj, ndërmarrjet aktualisht shqetësohen shumë më pak për ekzistencën e tyre sesa gjatë fazës së rritjes së pandemisë COVID-19. Nga të dhënat e publikuara në fund të tetorit, ekzistencën e tyre të kërcënuar e shohin 7.5 për qind e ndërmarrjeve. Në muajin qershor 2020, ato ishin 21.8 për qind.

“Përballë ngadalësimit të ndjeshëm ekonomik, ndërmarrjet po tregohen shumë të fuqishme”, ky ishte përfundimi i ekspertit të IFO-s, Klaus Wohlrabe.

Kohët e fundit, megjithatë, lajmet negative nga ekonomia janë shtuar, me ekonominë që ka të ngjarë të rrezikohet nga një recesion teknik, mendon shefi i Bundesbankës, Joachim Nagel.

Kjo do të thotë tkurrje për dy tremujorë radhazi në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Porositë e reja ranë me 4.0 për qind në muajin shtator. Çmimet e larta të energjisë dhe ngadalësimi i ekonomisë botërore po ndikojnë gjithashtu te eksportuesit: eksportet u tkurrën me 0.5 për qind në shtator.

Sektorët me nevojë të madhe energjetike ende nën presion

Kostot e larta vazhdojnë të ndihen veçanërisht në sektorët me kërkesa të larta për energji. Prodhimi atje përsëri ra me 0.9 për qind. Ndër këto degë, zyra e statistikave numëron në radhë të parë produktet kimike dhe prodhimin e përpunimin e metaleve. Industria e përpunimit të naftës, prodhimi i qelqit dhe qeramikës, si dhe prodhimi i letrës dhe kartonit gjithashtu kërkojnë shumë energji.

“Rënia masive në industritë me kërkesa të mëdha për energji do të vazhdojë të ushqejë debatin rreth kërcënimit të çindustrializimit”, tha ekonomisti i LBBW, Jens-Oliver Niklasch.

Nga ana tjetër, është një “shenjë e mirë që industria në tërësi po tregohet relativisht e qëndrueshme, edhe në kushte kaq të vështira”.

Prodhimi i pastër industrial – domethënë industria përpunuese pa përfshirë energjinë dhe ndërtimin – u rrit 0.7 për qind. Në plan vjetor, prodhimi industrial ishte 4.2 për qind më i lartë se një vit më parë. Industritë me kërkesa të mëdha për energji prodhuan 9.7 për qind më pak. /Deutsche Welle/