Site icon Telegrafi

Rritja e tensioneve në Moldavi: A është një betejë politike apo mundësi për një konflikt të ri?

Federata Ruse është e rrethuar nga konflikte të ngrira, disa prej të cilave, si Nagorno-Karabaku, herë pas here përshkallëzohen, por gjithashtu përfaqësojnë një lloj zone tampon dhe mundësojnë përhapjen e ndikimit në vendet fqinje. Pikërisht një nga këto konflikte, Rusia synon ta shfrytëzojë për të shpërqendruar aleatët perëndimor nga lufta e Ukrainës.

Gjatë luftës në Ukrainë, u shfaqën informacione dhe ide të shumta për hapjen e një fronti të dytë në vendet e tjera në kufi me Rusinë.

Lexo po ashtu Serbët e arrestuar në Moldavi për planifikim të grusht-shtetit me urdhër të rusëve, janë pjesëtarë të tifo grupit nga Beogradi - "Grobari"

Pas spekulimeve për hapjen e një fronti të dytë në Gjeorgji, u fol edhe për destabilizimin dhe hapjen e “plagëve të vjetra” në Moldavi dhe tashmë ai opsion shfaqet gjithnjë e më shpesh në media dhe në deklaratat e zyrtarëve rusë.

Në ditët e fundit, ne kemi parë njoftime dhe paralajmërime nga zyrtarë për një sulm në Moldavi dhe në rajonin separatist të Transnistria.

Nga njëra anë, Ukraina paralajmëroi se Rusia planifikon të destabilizojë përsëri Moldavinë. Kryeministri i Moldavisë, Dorin Recean, konfirmoi pretendimet e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke thënë se Kremlini dëshiron të hapë një front të ri përmes Republikës së Moldavisë.

“E kam përmendur disa herë se ekzistojnë disa skenarë të destabilizimit, por tani përmendet vetëm një. Ato përfshijnë disa elemente, duke përfshirë edhe ato që thotë presidenti Zelensky. Institucionet tona janë të gatshme të përballen me sfida të tilla”, tha Recean.

Zelensky njoftoi se një nga qëllimet e destabilizimit të Moldavisë është qasja në aeroportin në Kishinau, për të lehtësuar transportin e ushtarëve dhe pajisjeve për hapjen e një fronti të ri në Ukrainë.

Në të njëjtën kohë, Rusia akuzoi Ukrainën se planifikon të organizojë një sulm ndaj Moldavisë dhe rajonit të Transnistrisë. Ndërsa Moldavia mohoi këtë informacion, Transnistria tha se ishte gati për çdo provokim.

Lexo po ashtu Presidentja e Moldavisë: Rusët planifikuan grusht-shtet në vendin tonë, të përfshirë edhe ushtarakë serbë

“Sipas informacioneve të disponueshme, regjimi i Kievit po përgatit një provokim të armatosur kundër Republikës Moldaviane Transnistriane në të ardhmen e afërt, i cili do të kryhet nga njësitë e Forcave të Armatosura të Ukrainës, duke përfshirë pjesëmarrjen e formacionit nacionalist Azov”, deklaroi Ministria ruse e Mbrojtjes.

Ndërkohë, është shfaqur një dokument që dyshohet se ka rrjedhur nga zyra e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili paraqet një plan të detajuar se si Rusia planifikon të marrë kontrollin e plotë të Bjellorusisë dhe Transnistrisë.

Pse Moldavia po bëhet një element i rëndësishëm?

Edhe pse çështja e Transnistrisë mbetet e pazgjidhur për dekada, në rrethanat e reja ajo bëhet një zonë shumë e rrezikshme që Rusia mund ta përdorë për të destabilizuar më tej rajonin.

Ndërsa Moldavia po kthehet drejt Perëndimit me tendenca për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, Transnistria është plotësisht e kthyer drejt Moskës. Ushtria ruse ka qenë e pranishme në këtë rajon që nga vitet 1990 dhe si shpjegim për praninë e tyre përmendin kontrollin dhe mbrojtjen e magazinës më të madhe të municioneve të ish-BRSS.

Lexo po ashtu Zelensky: Ukraina zbuloi planin rus për 'shkatërrimin' e Moldavisë

Problemi me rajonin separatist “mbeti ngrirë” që nga nënshkrimi i dekretit në vitin 2012, i cili mbështeti pjesërisht sovranitetin e Moldavisë. Megjithatë, ushtria ruse mbeti në një rajon të panjohur ku qeveria moldave humbi çdo ndikim.

Megjithatë, mes tensioneve në rritje dhe divergjencave të mëtejshme në politikën zyrtare të Moldavisë dhe Transnistrisë, presidenti rus e revokoi dekretin e lartpërmendur, duke shkaktuar edhe më shumë shqetësim. Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë paralajmëron se “çdo aktivitet që paraqet rrezik për qytetarët e Transnistria do të përbëjë një sulm ndaj Federatës Ruse”.

Një nga analistët amerikanë, Mark N. Katz, profesor në Universitetin George Mason, mendon se nëse qeveria moldave i nënshtrohet ndikimit rus, një transferim i lehtë i trupave dhe municioneve përmes këtij vendi vështirë se mund të realizohet.

“Nuk jam i sigurt sesa e lehtë do të ishte për Rusinë që të sillte një numër të madh njerëzish dhe materialesh në Moldavi edhe nëse në pushtet vjen një qeveri proruse. As nuk jam i sigurt që edhe një qeveri proruse në Moldavi do t’i bashkohej me lehtësi përpjekjeve luftarake të Moskës kundër Ukrainës”, tha ai.

Lexo po ashtu Lavrov lë të kuptojë se Rusia synon pushtimin e Moldavisë

Rajoni pro-rus i Transnistria mundëson kontrollin dhe balancimin e ndikimit në këtë zonë. Megjithëse tensionet kanë qenë të pranishme që nga fillimi i krizës ukrainase, një transferim i mundshëm i luftës në Transnistria vështirë se do të kontribuonte në ndonjë vendosje të dominimit ushtarak në kontekstin e Federatës Ruse. Është e pamundur të krijohet një korridor tokësor dhe çdo lëshim rakete rrezikon që konflikti të përhapet në territorin e vendeve fqinje që janë gjithashtu anëtarë të NATO-s.

Në ekuilibrin aktual të forcave, situatën në të cilën ndodhet Rusia, një front shtesë do t’i krijonte vetëm dhimbje koke dhe nuk do t’i sillte suksese. /Telegrafi/

 

Exit mobile version