Site icon Telegrafi

Rritja e çmimeve në Kosovë – qytetarët thonë se do të jetë vështirë e përballueshme

Shoqata e Mullisëve të Kosovës ka javë që ka paralajmëruar se çmimi i bukës dhe miellit në Kosovë do të ngritet. Kjo sipas tyre ndodhë për shkak të rritjes së çmimit të miellit në tregjet botërore e ndikuar nga agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë.

E për qytetarët e Kosovës kjo rritje e çmimeve po është vështirë e përballueshme.

Qytetarja Sevdije Mehaj thotë për Telegrafin se rritja e çmimit të miellit dhe produkteve të tjera është një goditje ekonomike për familjen e saj.

“Kjo rritje e çmimeve të artikujve të domosdoshëm jetësorë besoni është një goditje e rëndë sidomos për shtresat e varfra por edhe për ato shtresa të cilat nuk jetojnë në varfëri të skajshme por normalisht që i godet edhe shtresat e mesme të shoqërisë.

Kjo sepse nëse e marrim parasysh pagën mesatare e mos të flasim për atë minimale, është një goditje për familjet kosovare.

Xhepi im ose buxheti im familjarë thënë më mirë do ta përballojë jo edhe me aq lehtësi sepse nuk bëhet fjalë vetëm për shtrenjtimin e këtyre dy artikujve të miellit dhe të bukës, por ka rritje të çmimeve në çdo lloj artikulli”, tha Mehaj.

Sevdije Mehaj, qyetare

Ndërsa, Gjergj Dedaj, ish-ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, deklaron se rritja e çmimit të miellit, produkteve ushqimore dhe rritja enorme e çmimit të energjisë eklektike e vështirëson ekzistencën e qytetarëve të Kosovës.

“Në kohën e fundit jemi dëshmitarë që po marrim lajme jo të mira posaçërisht me ngritjen e çmimit të produkteve ushqimore gjë që po e vështirëson jetën e qytetarëve të Kosovës prej rritjes enorme të dyfishuar të çmimit të energjisë elektrike, pastaj të shportës ditore, ushqimeve dhe lajmi tash edhe për rritjen e çmimit të miellit dhe të derivateve dhe kjo e bënë shumë të vështirë çështjen e ekzistencës dhe jetën e tyre të përditshme”, tha Dedaj.

Gjergj Dedaj, ish-ambasador i Kosovës në Maqedonin e Veriut

Tutje ai shtoi se në rast se vazhdohet me këtë trend të rritjes së produkteve bazike në Kosovë përveç që e vë në pikëpyetje mbijetesën e njerëzve në Kosovë, kjo gjë mund të nxisë edhe protesta.

“Kjo është e papërballueshme për secilin qytetar të Kosovës sepse paga minimale është më e ulëta në rajon, ndoshta edhe në Evropë, e në anën tjetër çmimet janë të barabarta me kudo tjetër në botë dhe kjo jo vetëm që nuk ka sens por është edhe e papërballueshme dhe mund të them se nëse vazhdon kështu mund do të vijmë deri te shpërthimet sociale. Kurse Qeveria ose nuk po mendon fare ose nuk është koshiente për dëmin dhe për pozitën e vështirë për qytetarin e Kosovës.

Me shpërthime sociale dua të them, protesta sepse sinqerisht nëse çmimet rriten 100 përqind ose 200 përqind në Kosovë. E në anën tjetër, pagat mbesin kështu pa u rritur kurse pensionet mund të themi se janë fyese, atëherë normalisht se një ditë qytetarët e Kosovës do të shpërthejnë sepse po vihet në pikëpyetje ekzistenca e njerëzve”, theksoi ai.

Lexo po ashtu Ka mjaftueshëm miell, Kosova nuk importonte nga Ukraina dhe Rusia

Dedaj po ashtu pohoi faktin se produkte do të ketë mjaftueshëm, mirëpo qytetarët nuk do të kenë para për t’i blerë ato.

“Produkte ka mjaftë por shtrohet pyetja se me çfarë do t’i blejnë pensionistët ato produkte ose edhe qytetarët të cilët kanë paga minimale”, përfundoi Dedaj.

E qytetari Salih Canolli vlerëson se është Qeveria ajo që duhet të kujdeset për qytetarin dhe po ashtu tha se pas shtrenjtimit të çmimeve ai e ka zvogëluar konsumin dhe nuk bënë shpenzime në ushqime si më herët.

“E kemi Qeverinë e cila duhet të kujdeset për ne. Sigurisht që do të jetë e vështirë sepse paga nuk ka, para nuk ka. Normal që e kemi zvogëluar konsumin sepse gjërat që i kemi blerë më herët tani nuk po i blejmë më”, tregoi Canolli.

Sipas Driton Ajetit rritja e çmimit të miellit në Kosovë do të thotë rritje e shpenzimeve për qytetarët.

“Rritja e çmimit të bukës dhe të miellit në Kosovë do të thotë rritje e shpenzimeve, më shumë pengesa për qytetarët e thjeshtë. Personalisht për mua do të jetë ndoshta e papërballueshme por e di që për shumë qytetarë të tjerë do të jetë shumë problem”, vlerëson Ajeti.

Driton Ajeti, qytetar

Ndërkaq, ministri i Bujqësisë, Faton Peci në konferencën e mbajtur për medie gjatë ditës së mërkurë ka deklaruar se do t’i subvencionojnë bujqit me 500 euro për një hektarë të mbjellë me grurë, duke përfshirë këtu edhe subvencionimin e naftës për ta.

“Ne nuk kemi qëndruar duarkryq karshi rritjeve të çmimit të produkteve. Përkrahja do të jetë për drithëra, patate, fasule e të tjera. Kemi në dispozicion rreth 50 milionë euro. Do të subvencionojmë bujqit dhe fermerët”, ka deklaruar Peci. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version