Telegrafi

Rritet shitja e veturave elektrike dhe hibride në Evropë

Shitja e veturave elektrike dhe hibride, si dhe ato në format alternative me karburant, në gjysmën e parë të këtij viti është rritur për 24.5 për qind në Bashkimin Evropian krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë shitur 298.463 vetura, sipas të dhënave nga Shoqata e prodhuesve evropianë të veturave (ACEA – European Automobile Manufacturers’ Association).

Në tremujorin e dytë, regjistrimi i veturave të tilla në BE është rritur për 17.4 për qind, pra janë regjistruar saktësisht 143.595 vetura, transmeton Koha.net, nga të cilat regjistrimi i veturave elektrike është rritur për 53 për qind ose 27.575 vetura, sipas një njoftimi të postuar në ueb-faqen e kësaj shoqate.

Rritja më e madhe e shitjeve në tremujorin e dytë të këtij viti u shënua në Lituani me 207.1 për qind, Republikën Çeke me 109.8 për qind, Norvegji me 74.1 për qind, Britani me 62.4 për qind, Francë me 59.7 për qind dhe në Spanjë me 58 për qind.

Ndërkaq në Bullgari në këtë tremujor të dytë nuk është shitur asnjë veturë elektrike, ndërsa në Estoni shitja e veturave të tilla ka rënë me 36.8 për qind dhe në Letoni me 23.4 për qind.