Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva në një intervistë për Telegrafin ka folur rreth sezonit verorë në Kosovë, për diasporën si dhe për mungesën e punëtoreve në sektorin e hotelerisë.
Sogojeva deklaroi se këtë vit sezona ka filluar më vonë, ndërsa bëri të ditur se ka pasur rritje të turizmit.
“Ka qenë një verë e bujshme, sipas të dhënave që kemi nga terreni ku Oda e Hotelerisë dhe Turizmit ka shtrirje në shtatë regjione, sipas informatave që kemi në një farë forme sivjet ka filluar më vonë ardhja e mërgimtarëve për shkak të pengesave apo problemeve që patëm në veri”, theksoi ai.
Duke folur për diasporën, Sogojeva tha se pavarësisht që ata kalojnë disa ditë nga pushimet e tyre në bregdeti, prapë së prapë ata një javë e kalojnë në Kosovë dhe se kjo është diçka shumë pozitive.
“Por, fatmirësisht në bazë të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i turistëve është diku mbi 30%, dhe ky është një lajm i mirë për Kosovën, që pavarësisht problemeve, kemi një ngritje. Kosova po është destinacion i kërkuar për qytetarët e jashtëm. Në korrik kemi 65% rritje të turistëve”, pohoi ai.
Sogojeva theksoi se duhet bërë më shumë për promovimin e vendit.
“Të vetmit në Rajon jemi që nuk kemi Agjencion Kombëtar, të gjithë e kanë. Agjencioni e promovon vendin. Ne ua kalojmë shumë shteteve, jemi më të mirët me potenciale, por duhet promovuar. Vetëm kompleksin Adem Jashari e vizitojnë mbi 1 milionë njerëz brenda viti”, tha ndër tjera ai.
Sa i përket mungesës së punëtorëve në Kosovë, Sogojeva deklaroi se disa kompani kosovare kanë filluar të lidhin kontrata për sjelljen e punëtorëve nga vendet e huaja.
“Shumë kompani kanë filluar të bëjnë kontrata me vende aziatike, që po sjellin punëtorë prej atje, sidomos nga Bangladeshi. Marrëveshjet bëhen, pastaj banimi rregullohet në bazë të kontratave, për ta ambientimi është vështirë sikurse edhe për tonët që kanë shkuar jashtë”.
Gjatë intervistës, Sogojeva bëri apel që Qeveria të bëjë më shumë për punëtoret në Kosovë dhe të mos ketë probleme me shpërngulje. /Telegrafi/