Sonte në emisionin “Përballje” prodhim i Telegrafi.com dhe RTV Dukagjini, me autor Muhamet Hajrullahu është diskutuar për shkurorëzimet në Kosovë dhe a janë rritur rastet e tyre.
Sipas statstistikave në Kosovë është rritur numri i rasteve të shkurorëzimit dhe nga viti në vit është shtuar bartja e lëndëve.
Në vitin 2014 ishin 312 lëndë në punë, në vitin 2015 ishin 416 ndërsa në vitin 2016 u mblodhën 479, sipas zyrtarëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Linda Gusia, sociologe, thotë se statistikat e shkurorëzimeve në Kosovë janë më të ulëtat në rajon, por janë rritur në zonat urbane.
“Statistikat e shkurorëzimit në Kosovë në krahasim me rajonin e Evropën janë shumë më të vogla, që tregon njëfarë sistemi tjetër të vlerave, por janë në rritje në vendet urbane si Prishtina e qytetet tjera më të mëdha, por janë të shpeshta edhe në zona rurale”, ka deklaruar Gusia.
Mustafa Bajrami, teolog, thotë se nga viti 2004 deri në vitin 2015, sipas statistikave, janë diku mbi 18 mijë raste të shkurorëzimeve.
“Unë konsideroj se 18 mijë raste të shkurorëzimeve duhet të lexohen si 18 mijë përpjekje të shkatërrimit të 18 mijë familjeve në një shoqëri me më pak 2 milionë banorë dhe e konsideroj si problem serioz”, ka deklaruar Mustafa në emisionin “Përballje”.
Latif Xhemajli – gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, thotë së shkaqet e shkurorëzimeve janë ndarja nga martesa, gjendja ekonomike familjare, keqtrajtimi i njërit bashkëshkort nga tjetri, jeta në bashkësi familjare, sëmundjet psiqike e shkelja e besnikërisë etj.
Ndërsa Arianit Koci- avokat, mendon se njëra nga arsyet e shkurorëzimit është jeta e padurueshme bashkëshortore, por gjykata gjatë këtyrë viteve kanë vendosur në favor të meshkujve.
“Neglizhenca edhe mospuna e gjykatave është problemi kryesor. Edhe e dyta është çështja e ndarjes së pasurisë. Problemi kryesor të gratë është kjo puna e pasurisë, ndarja e saj e krijuar gjatë martesës dhe gruaja dëmtohet e jo burri”, ka thënë Koci.
Por, gjykatësi Xhemajli tha se pasuria ndahet proporcionalisht 50 me 50 ajo që është fituar gjatë martesës.
Emisioni “Përballje” është bashkëprodhim i gazetarit Muhamet Hajrullahu me Telegrafi.com për Radiotelevizionin Dukagjini dhe transmetohet çdo të hënë në ora 20:20, kurse repriza të shtunën në ora 10:00. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=uvwvOCa33Q8