Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) uron dy partitë për krijimin e qeverisë Kurti duke shpresuar se bashkëqeverisja e tyre do të sjellë mirëqenie të shtuar për qytetarët e vendit, po ashtu uroi postin e Kryeparlamentares së parë në Kosovë, Vjosa Osmani.
Në komunikatë të RrjGK thuhet se zgjedhjet e 6 tetorit 2019 shënuan numrin më të madh të grave që arritën të fitojnë ulëse në kuvend.
“…Jemi dëshmitarë të fuqizimit politik të grave në shoqërinë kosovare, prandaj qeveria e sapoformuar duhet të jetë shtysë në përmirësimin e pozitës së gruas kosovare, e rrjedhimisht të gjithë shoqërisë. Sado që kjo qeveri ka me shumë gra ministre në krahasim me qeveritë e kaluara, presim që në emërimin e zv. Ministrave të arrijnë të zbatojnë LBGj-në. Duke ndjekur me interes të shtuar përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e grave në zgjedhjet parlamentare të parakohshme të 6 tetorit 2019, e rrjedhimisht edhe në qeverinë e re, RrGK përmes kësaj letre shpreh shqetësim që dy partitë e koalicionit nuk kanë respektuar Ligjin për Barazi Gjinore (LBGj), me rastin e emërimit të kabinetit të ekzekutivit. Ky ligj garanton barazi ndërmjet gjinive (50/50), si kusht i zhvillimit të një shoqërie demokratike ku burrat dhe gratë kanë mundësi krejtësisht të barabarta në sferën politike dhe publike”, thuhet në reagim.
Ndër çështjet e rëndësishme që RrGK pret që koalicioni LVV-LDK të angazhohet në fillim të qeverisjes së tyre janë: të balancojë pjesëmarrjen e grave dhe të burrave në vendimmarrje; të rishikojë Ligjin e Punës sipas direktivave të Bashkimit Evropian (BE) për balancin punë-jetë; të rishikojë Ligjin e Punës dhe përveç pushimit të lehonisë dhe atij prindëror, të futet edhe pushimi atësor, në pajtim me direktivat e BE-së të adapotuara në Kosovë; të përmirësojë kushtet e punës, me theks të veçantë të luftojë diskriminimin me bazë gjinore në punësim; të zbatojë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor sipas LBGj-së; të krijojë një linjë buxhetore të përhershme për strehimoret e Kosovës. /Telegrafi/