Rreth 27 për qind e popullsisë urbane në Shqipëri është e përqendruar në qytetin më të madh të vendit, Tiranën. Portali i të dhënave Our World in Data ka publikuar hartën sipas përqindjes së popullsisë urbane të përqendruar në qytetin më të madh të një shteti apo rajoni.
Ndër vendet e rajoni, Maqedonia ka përqindjen më të lartë të popullsisë urbane të vendosur në qytetin më të madh të vendit, me gati 50 për qind të popullsisë.
Më pas ndiqet nga Serbia, ku në 2017-n, rreth 35.2 për qind e popullsisë urbane ishte e përqendruar në qytetin më të madh të vendit.
Sipas hartës, Bosnja Hercegovina ka përqindjen më të ulët në rajon me rreth 20.4 për qind të popullsisë urbane të përqendruar në qytetin më të madh të vendit.
Në botë shtetet që kanë përqendrimin më të madh të popullsisë urbane në qytetin më të madh janë Mongolia me thuajse 70 për qind të popullsisë urbane të përqendruar në qytetin më të madh të vendit, si dhe disa vendet të Lindjes së Mesme, Afrikës dhe Amerikës së Jugut.
Në vendet e zhvilluara përqindja e popullsisë urbane të përqendruar në qytetin më të madh të vendit është më e ulët, duke qenë se dhe mundësitë e individëve për një jetë me standard janë të njëjta edhe në zonat larg qendrave të mëdha urbane. Kështu për shembull, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm 7 për qind e popullsisë urbane është e përqendruar në qytetin më të madh të vendit, në Itali përqindja e popullsisë urbane llogaritet 9.8 për qind dhe në Gjermani 5.8 për qind.
Mënyra se si shtete të ndryshme klasifikojnë popullsinë në urbane dhe rurale ndryshon. Zakonisht, një komunitetet me mbi 2000 banorë konsiderohet urbane, por përcaktimet kombëtare janë kryesisht të bazuara në madhësinë e komunitetit.
Eurostat përkufizon zonat urbane si grupe të qelizave të pandërprera të një sipërfaqeje prej 1 km2, me një densitet prej të paktën 300 banorë për km2 dhe një popullsi minimale prej 5,000.
Popullsia e një qyteti apo zona metropolitane varet nga kufijtë e zgjedhur. Për shembull, në vitin 1990 Pekini, Kina, përmbante 2.3 milionë njerëz në 87 kilometra katrorë të “qytetit të brendshëm” dhe 5.4 milion në 158 kilometra katrorë të “qytetit kryesor”. Popullsia e “rretheve të brendshme dhe rretheve të brendshme periferike” ishte 6.3 milionë dhe ajo e “rrethinës së brendshme, rretheve të brendshme dhe të jashtme suburbane, dhe qarqeve të brendshme dhe të jashtme” ishte 10.8 milionë. (Shumica e vendeve përdorin përkufizimin e fundit.) /Monitor/Telegrafi/