Telegrafi

Rreth 20 civilë u larguan nga fabrika e bllokuar e çelikut në Mariupol

Një grup prej rreth 20 civilësh është larguar nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol, pjesa e fundit e qytetit jugor ende në duart e trupave ukrainase.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, ata janë grupi i parë që largohen që kur presidenti rus, Vladimir Putin urdhëroi mbylljen e zonës së gjerë industriale javën e kaluar.

Bisedimet janë duke vazhduar për lirimin e 1,000 civilëve të raportuar të bllokuar ende brenda.

Ndërkohë thuhet se Rusia po rrit ofensivën e saj në lindje.

Më shumë se një javë më parë, pasi tha se Mariupoli ishte kapur, presidenti Putin iu tha trupave të tij: “Bllokojeni këtë zonë industriale në mënyrë që një mizë të mos kalojë”.

Por mediat ruse kanë raportuar se 25 civilë arritën të largoheshin nga uzina Azovstal të shtunën, duke përfshirë gjashtë fëmijë nën moshën 14-vjeçare – por nuk thanë se ku ishte dërguar grupi.

Kjo u konfirmua nga ushtarët brenda fabrikës së çelikut, të cilët thanë se numri ishte 20 në mesin e tyre gra dhe fëmijë.

Zëvendës komandanti i regjimentit të Azov, Sviatoslav Palamar, tha se ata “transferuan në një vend të përshtatshëm dhe ne shpresojmë se ata do të evakuohen në Zaporizhzhia, në territorin e kontrolluar nga Ukraina”.

Kryetari i bashkisë së Mariupolit, Vadym Boychenko, tha për BBC se njerëzit atje ishin “në kufirin midis jetës dhe vdekjes”. “ [Njerëzit] janë duke pritur, ata po luten për një shpëtim… Është e vështirë të thuhet se për sa ditë apo orë duhet të shpëtojmë jetën e tyre”. /Telegrafi/