Mbrëmë, Prishtina u trondit nga një incident i armatosur mes dy grupeve, ku si pasojë një person mbeti i vrarë dhe pesë të tjerë u plagosën.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 në rrugën “Gazmend Zajmi” në lagjen Aktash të kryeqytetit.
Nga Policia kanë bërë me dije se pesë personat e plagosur janë duke u trajtuar në QKUK, “nën masën e arrestit dhe mbikëqyrjes policore”.
Në mesin e të plagosurve janë një 21 dhe 29 vjeçar. Në media është raportuar se kjo ngjarje ka ndodhur mes familjeve Sekiraqa dhe Capat, të njohura edhe si grupe që janë në konflikt tash e një kohë.
Vendi ku ndodhi sulmi vazhdon të jetë ende i bllokuar nga policia, dhe nga fotografitë nga aty shihet se të dy familjet e apostrofuara kanë shkrepur rreth 100 plumba.
Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje” dhe tashmë kanë nisur hetime intensive nga Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
Telegrafi ju sjell pamje nga vendi i ngjarjes. /Telegrafi/