Site icon Telegrafi

Rreth 10 mijë persona në Kosovë kanë investuar në kriptovaluta, Kuvendi në pëgatitje të ligjit

Kosova tashmë është duke përgatitur një ligj, i cili do t’i përcaktojë rregullat e përdorimit të parave digjitale brenda territorit të saj. Përveç kategorizimit të kriptovalutave dhe të formave të tatimit, ligji synon të krijojë edhe një evidencë të saktë të personave që operojnë me kriptovaluta në Kosovë.

Granit Kadolli, nga Prishtina, një “vlerë simbolike” të parave të tij e ka investuar para pesë vjetësh në kriptovaluta, apo, siç njihen ndryshe, para digjitale.

Deri më tani, ai nuk ka paguar ndonjë tatim mbi to, pasi, siç thotë, nga ky investim nuk ka gjeneruar fitime.

“Unë nuk e shoh këtë si përfitim, e shoh si investim për të ardhmen. Prej vitit 2016, qëkur kam investuar, e deri më tani, nuk kam nxjerrë asnjë përfitim. Në të ardhmen, kur do të vendos të nxjerr ndonjë sasi të mjeteve, do t’i deklaroj fitimet, rrjedhimisht do t’i paguaj obligimet tatimore”, thotë Kadolli për Radion Evropa e Lirë.

Në Kosovë, rreth 10 mijë operatorë të identifikuar – persona fizikë dhe juridikë – llogaritet se merren me këtë aktivitet, thotë Ferat Shala, kryetar i Komisionit për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti në Kuvendin e Kosovës.

Ai thotë se kjo shifër është e institucioneve përgjegjëse, por nuk sqaron se cilat.

Shala shton se informacione për vlerën e qarkullimit nuk ka.

Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” [v.j. në shqip: bllok zinxhir].

Ekzistojnë mbi 5,000 kriptovaluta të ndryshme në botë, por më të popullarizuarat mbeten Bitcoin dhe Ethereum.

Lexo po ashtu ATK paralajmëron ata që fitojnë nga kriptovalutat: Duhet të deklarojnë të ardhurat dhe të paguajnë tatimet

Personit i duhet një “portofol”, apo një aplikacion online, përmes të cilit transferon para reale për blerjen e kriptovalutave.

Kriptovalutat mund të përdoren për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to sikurse në pasuri të tjera, të tilla si aksionet apo metalet e çmueshme.

Investimet në kriptovaluta, sipas ekspertëve, janë spekulative dhe ato mund të rezultojnë me fitime ose humbje të mëdha.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka lëshuar më 3 dhjetor një komunikatë për media, duke iu bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që gjenerojnë të ardhura nga kriptovalutat, t’i deklarojnë ato dhe të paguajnë tatim për to.

ATK-ja ka thënë se “do të marrë masa ndaj personave që nuk i deklarojnë këto të ardhura”.

“Me fokus të veçantë, ATK-ja do të përqendrohet në identifikimin dhe trajtimin e personave, të cilët krijojnë të ardhura nga kriptovalutat”, ka thënë ATK-ja.

Deri më tani, ajo nuk ka specifikuar se në bazë të cilit ligj do të duhet të paguhet tatimi mbi kriptovaluta, sa është numri i personave që merren me këtë veprimtari dhe a ka mekanizma për identifikimin e personave që merren me këtë veprimtari.

Në Kosovë ekziston Ligji për të ardhurat personale, në bazë të të cilit, personat që realizojnë fitime, janë të obliguar të deklarojnë tatimin mbi to.

Sipas këtij ligji, tatimi në të ardhura personale vjetore ngarkohet në katër shkallë.

Për të ardhura deri në 960 euro në vit, nuk paguhet tatim. Për të ardhurat nga 960 euro deri në 3,000 euro në vit paguhet 4 për qind, për të ardhurat nga 3,000 deri në 5,400 paguhet 8 për qind, kurse për të ardhurat mbi 5,400 euro – 10 për qind.

Granit Kadolli, i cili ka investuar në kriptovaluta, thotë se nuk është kundër pagesës së obligimeve tatimore, por, sipas tij, nevojiten sqarime shtesë.

“Për momentin, derisa nuk i nxjerr paratë nga kriptovalutat dhe nuk i dërgon në bankë, Administrata Tatimore nuk mund të tatojë, sepse është vlerë jo e arketueshme. Ta marrim shembull, nëse një piktor cakton vlerën e pikturës dhe nuk e shet, atëherë nuk mund të tatohet, por nëse piktura shitet, atëherë fillon tatimi”, thotë Kadolli, i cili udhëheq një kompani marketingu në Prishtinë.

Aliu: Tatimet mund të paguhen vetëm nëse fitimet nga kriptovalutat deklarohen vullnetarisht

Profesori i lëndës “Tregjet dhe investimet financiare” në Kolegjin UBT në Prishtinë, Florin Aliu, thotë se mbledhja e tatimeve nga qytetarët që investojnë në kriptovaluta, do të jetë mision i vështirë për ATK-në.

Ai shton se ATK-ja nuk ka mekanizma për t’i identifikuar personat e përfshirë në këtë treg. Sipas tij, mbetet në vullnetin individual të qytetarëve për t’i deklaruar fitimet dhe për t’i paguar tatimet.

“Personat që merren me këtë treg, janë anonimë. Kjo mbetet në vullnetin e tyre për deklarim. Nëse ekziston një hapësirë brenda një ligji ose aktiviteti ekonomik, ku personi fizik dhe juridik ka mundësi të mos paguajë tatime, ai nuk e paguan. Nuk është rasti i vetëm me kriptovaluta; ka raste të shumta”, thotë Aliu, pa i specifikuar të tjerat.

Por, inxhinieri i teknologjisë, Ermal Sadiku, thotë se autoritetet kompetente mund t’i identifikojnë personat që investojnë në kriptovaluta.

“Në një formë, këta [persona] janë të identifikuar, sepse blejnë dhe shesin në Kosovë edhe përmes bankave në mënyra legale. Ato para i nxjerrin në Kosovë. Në momentin që nxirren paratë, që është fituar në transaksion, duhet të paguhet tatim. ATK-ja mund ta verifikojë këtë. Kurse, ata që nuk i marrin përmes bankave apo marrin nga shtete të jashtme, ATK-ja nuk mund t’i vërejë dhe nuk mund t’i tatojë”, thotë Sadiku.

Në Kosovë nuk ekzistojnë institucione të formalizuara financiare që njohin dhe pranojnë kriptovaluta si mjet pagesash, thotë profesori Aliu.

Sipas tij, ky sektor është i rrezikshëm, pasi, siç thotë, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon kriptovalutat, e as ligji që e rregullon çështjen e tyre.

“Nëse investohet në euro, është Banka Qendrore Evropiane. Nëse investohet në dollarë, është Banka Qendrore Amerikane. Nëse dëshiron të investosh në aksione të Tesla-s, është kompania mbrapa. Nëse investohet në obligacione shtetërore, është shteti me buxhetin e vet që i mbron. Te këto [kriptovalutat] nuk ekziston një mekanizëm që i mbron”, thotë Aliu.

Ferati: Kosova po krijon ligj për rregullat e përdorimit të kriptovalutave

Kosova tashmë është duke përgatitur një ligj, i cili do t’i përcaktojë rregullat e përdorimit të parave digjitale brenda territorit të saj. Përveç kategorizimit të kriptovalutave dhe të formave të tatimit, ligji synon të krijojë edhe një evidencë të saktë të personave që operojnë me kriptovaluta në Kosovë, thotë Ferati, nga Komisioni për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti në Kuvendin e Kosovës.

Ai nuk jep ndonjë afat kohor për miratimin e këtij ligji në Kuvendin e Kosovës.

Shqipëria tashmë e ka rregulluar me bazë ligjore përdorimin e kriptovalutave.

Në muajin shtator të vitit të kaluar, ajo ka miratuar Ligjin për tregjet financiare, të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë.

Ligji e rregullon tregun e monedhave digjitale dhe virtuale, duke nisur nga licencimi i subjekteve që do të ushtrojnë një aktivitet të tillë deri te kushtet e tregtimit të kësaj monedhe.

Exit mobile version