Site icon Telegrafi

Rregullat e reja të FIFA-s, Kosova dhe Shqipëria mund t’i grumbullojnë yjet si Januzaj, Tarashaj apo Hadergjonaj

Shtëpia më e madhe e futbollit botëror, FIFA çdo ditë po vije me rregulla të reja për lojën e futbollit.

Një rregull shumë e mirë është afër që të aprovohet për futbollistët që luajnë nëpër shtetet jo të tyre.

FIFA pritet të marrë vendim që tu lejojë futbollistëve dy shtetësinë dhe të mund të luajnë ata edhe për një Kombëtare të dytë.

Nëse një futbollistë luan për një Kombëtare A, atëherë nuk do të ketë të drejtë të aktivizohet edhe me një tjetër.

Kombëtaret e mëdha shpesh herë kanë grumbulluar futbollistë vetëm sa për t’i aktivizuar disa minuta që mos të kenë të drejtë të luajnë me një tjetër vend.

E këtë rregull të re të FIFA-s, me gëzimin më të madh po e pret Përfaqësuesja e Kosovës por edhe Kombëtarja e Shqipërisë.

Në rast se një futbollistë ka luajtur dy apo tri ndeshje me një Kombëtare dhe kalon kohë pa u ftuar atëherë ai mund të bëjë kërkesë që të ndryshojë Kombëtaren.

Lojtarët që mund t’i bashkohen Kosovës apo Shqipërisë

Ishte duke u luajtur Kampionati Evropian dhe në ndeshjen e tretë Zvicër – Rumani, ‘Helvetikët’ aktivizuan krejt në fund sulmuesin e talentuar Shani Tarashaj duke e djegur që mos të ketë mundësi ai të luajë për Kosovën.

Tarashaj kishte dalë publikisht dhe kishte deklaruar se dëshironte të luante për Kosovën por rregullat e FIFA-s ia mohuan një gjë të tillë.

22-vjeçari ka luajtur gjithsej pesë ndeshje me ekipin e parë të Zvicrës, katër nga to miqësore dhe një me ekipin e parë disa minuta ndaj Rumanisë.

Lojtari i Evertonit është i lënduar aktualisht, por me hyrjen në fuqi të rregullit të FIFA-s, ai mund të largohet nga Zvicra për ta zgjedhur Kosovën ose Shqipërinë.

Shani Tarashaj me fanellën e Zvicrës

Një tjetër futbollistë që mund t’i bashkohet Kosovës ose Shqipërisë është edhe Adnan Januzaj.

Lojtari i talentuar nga Istogu ka gjashtë ndeshje me Belgjikën, një në kampionatin botëror ku ka luajtur 60 minuta, një në kualifikimet për evropian dhe katër tjera miqësore.

Ishte viti 2014 kur talenti me shtetësi kosovare u fut në lojë për herë të fundit nga Belgjika, ndërsa grumbullimi i tij i fundit me këtë Kombëtare ishte me gjashtë tetor 2015.

Adnan Januzaj në ndeshjen e fundit që u aktivizua me Belgjikën

Edhe Januzaj mund të bëjë kërkesë për ta ndërruar Kombëtaren dhe atij i lejohet të zgjedhë mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Futbollisti tjetër që mund të zgjedhë është edhe Florent Hadergjonaj që ka luajtur vetëm një ndeshje miqësore me Zvicrën A.

Hadergjonaj që aktivizohet në Ligën Premier me Huddersfieldin, pritet së shpejti t’i kthejë përgjigje pozitive Kosovës.

Shpresojmë që nga ky rregull i ri që pritet të futet në fuqi së shpejti nga FIFA, futbollistët tanë t’i japin përgjigje pozitive Kosovës dhe Shqipërisë. /Telegrafi/

Florent Hadergjonaj me fanellën e ekipit A të Zvicrës
Exit mobile version