Dua Lipa ishte 11-vjeçare kur prindërit e saj e ulën në tavolinën e kuzhinës për t’ia kumtuar lajmin se do të ktheheshin në Kosovë.
Babai i saj, Dukagjin Lipa, kishte diplomuar dhe kishte marrë një ofertë pune në kryeqytetin Prishtinë. Asokohe, këngëtarja ishte në përfundim të shollës fillore.
“Shoqet dhe shokët e mi më të mirë të gjithë do të shkonin në shkolla të ndryshme. Unë u thashë: ‘Unë do të shkoj në Kosovë”, ka treguar 22-vjeçarja për The Guardian.
“Isha e entuziazmuar. Ne gjithmonë flisnim shqip në shtëpi. I kisha kushërinjtë e mi në Kosovë, të cilët nuk i kisha takuar kurrë”, ka rrëfyer Dua rreth emocioneve të saja kur iu kumtua lajmi për t’u kthyer në vendin e origjinës.
Ajo ka treguar se pas arritjes në Prishtinë kishte pasur shumë vështirësi në mësime. “Ata ishin shumë përpara, sa i përket matematikës dhe shkencave. Mora nota të këqija, sidomos në gjashtë muajt e parë. Mund ta flisja gjuhën, por nuk dija ta lexoj dhe shkruaj”, ka vazhduar rrëfimin Dua.
Mirëpo, në Prishtinë kishte shumëçka që i kishte pëlqyer këngëtares. Njëherësh, pikërisht në kryeqytetin e Kosovës, ajo i kishte marrë hapat e parë në aspektin muzikor, ndërsa kishte marrë pjesë në koncertet e Snoop Dogg dhe Method Man.
Në atë periudhë, krahas hip-hopit, Dua kishte filluar të dëgjonte muzikën e yjeve të muzikës pop, si Pink, Nelly Furtado, Katy Perry e Christina Aguilera, këngët e të cilave provonte t’i këndojë.
Ndërsa kur i mbushi 14 vjet, ajo u ul për një tjetër bisedë me prindërit e saj. Lipa u tha prindërve se dëshironte të kthehej në Londër për të ndjekur karrierën muzikore dhe ata bënë mirë që e dëgjuan.
“E dija se nuk do të isha në gjendje që të arrija sukses në shkallë botërore duke jetuar në Kosovë”, ka thënë Dua. /Telegrafi/