Një person ka marr lëndime trupore pasi është sulmuar fizikisht nga tre persona të tjerë të martën në mbrëmje rreth orës 22:25, në qendër të Pejës.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Sipas tij, viktima ka pësuar lëndime edhe në kokë pasi është sulmuar edhe me mjete të forta, dhe për momentin gjendet duke u trajtuar në Spitalin e Pejës.
“Një rrahje ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:25 në qendër të Pejës, ku tre persona kanë sulmuar fizikisht një person me mjete të forta, duke i shkaktuar lëndime trupore. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka gjetur vetëm viktimën, i cili më pas është trajtuar nga mjekët kujdestar në spitalin e Pejës”, ka thënë Gashi.
Ai tha se viktima e din se nga cilët persona është sulmuar, dhe policia është në kërkim të tyre.
Ndryshe Telegrafi mëson se personat e dyshuar e kanë goditur viktimën me boks të hekurit.
“Disa persona e kanë rrah një person. Personi ka pësuar lëndime të lehta trupore…me boks të hekurit. Personat janë identifikuar por ende nuk janë arrestuar”, mëson Telegrafi. /Telegrafi/