Telegrafi

Rrahja e nxënësit boshnjak në Vitomericë të Pejës, Policia tregon se rasti është në hetim

Rrahja brutale e një të mituri boshnjak nga bashkëmoshatarët në shkollën fillore në Vitomericë të Pejës ka nxitur edhe reagimin e organeve të rendit.

Pasi publikimit të pamjeve në rrjetet sociale, ku shihet një fëmijë i komunitetit boshnjak, derisa sulmohet nga bashkëmoshatarët e tij shqiptarë, rasti është iniciuar në Policinë e Kosovës nga familjarët e viktimës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Xhevat Ibra, e ka konfirmuar për Telegrafin ngjarjen e ndodhur, duke theksuar se rasti është në proces (në hetim) duke u trajtuar.

Ai ka thënë se ky rast po trajtohet nga prokurori i të miturve, sepse të përfshirët në këtë incident janë nën moshën 14 vjeçare.

 

“Për më shumë informata mund të drejtoheni të prokurori i rastit”, ka shtuar Ibra.

Ndryshe, të dielën në oborrin e shkollës “7 Shtatori” në Vitomericë të Pejës, është sulmuar një nxënës i kësaj shkolle, i komunitetit boshnjak, nga disa nxënës shqiptar.

Lidhur me këtë rast, është deklaruar për media edhe drejtoresha e shkollës, Draga Babaçiq. Ajo ka thënë se nuk ishte fare në dijeni për incidentin e ndodhur në shkollën që ajo udhëheq.

“Nuk jam e informuar për këtë çështje, ndoshta zëvendësdrejtori mund të ketë njohuri sepse ai merret me çështjet disiplinore të nxënësve”, kishte deklaruar Babaçiq.

Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale, dhuna e përdorur ndaj fëmijës të komunitetit boshnjak shihet me admirim, madje edhe kur përdoret gjuhë fyese dhe denigruese. /Telegrafi/