Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për rrahjen brutale të liderit opozitar serb, Nikola Sanduloviq.
Kurti ka thënë se Serbia nuk është rrezik siç shihet e dihet vetëm për qytetarët tanë në Kosovë, por ajo së fundmi ka dëshmuar se paraqet rrezik edhe për qytetarët e saj sidomos ndaj atyre që kanë guxim të pranojnë që përmes kërkim faljes për gjenocidin e Serbisë në Kosovë ndërtojnë bazë të zhvillimit të marrëdhënieve të mira paqësore e të pajtimit
“Kështu është rasti me liderin opozitar serb Nikola Sanduloviq, për të cilin krahas torturave fizike Serbia i ngrit aktakuzë për nxitje të urrejtjes kombëtare sepse ai u përkul para varrit të 7 vjçares Blerina Jashari e cila u vra nga forcat serbe në Prekaz”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka shtuar se trajtimi ndaj Sanduloviqit flet për mendësinë të cilën fqinji ynë e kultivon brenda vetës.
“Serbia është vendi ku Radoiçiqi në vend që të përgjigjet për sulmin terrorist në Banjskë ai merr pjesë në rrahjen brutale të Nikola Sanduloviqit. E përcjellë në dritën e shkeljeve të drejtave të njeriut e çdo zëri opozitarë e paqësor, Serbia vazhdon rrugëtimin drejt metodave të Putinit nga frikësimi e deri tek torturimi çnjerëzor të kundërshtarëve politik, në drejtim të kundërt me obligimet në kuadër të marrëveshjes bazike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona”, ka thënë Kurti.
Kurti tha se Serbia është gjithnjë më e larg vlerave të BE-së dhe të integrimit evropian dhe euroatlantik, të cilin edhe në teori e pretendojnë gjithnjë e më pak.
Kujtojmë se politikani opozitar serb, Nikola Sanduloviq është rrahur brutalisht ditë më parë në Serbi.
E gjithë kjo ndodhi një ditë pasi që Sanduloviq publikoi video duke bërë homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz, ku edhe kërkoi falje për krimet që ka kryer Serbia.
Kryetari i partisë Republikane të Serbisë, Sanduloviq raportohet se është rrahur brutalisht nga BIA serbe ndërsa ka marrë pjesë edhe Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari Listës Serbe dhe organizuesi i sulmit terrorist në Banjskë.
Në videot e publikuara të politikanit teksa lë një spital në kryeqytetin serb, Beogradin, ai është parë në gjendje të rëndë shëndetësore.
E bija e tij, Klara ka deklaruar se politikani është helmuar dhe ka ngritur dyshime se një gjë e tillë është bërë me agjentin nervor novichok, të cilën shpesh e përdor presidenti rus, Vladimir Putin për të eliminuar ish-bashkëpunëtoret apo kundërshtarit e tij. /Telegrafi/