Cristiano Ronaldo nuk ka ngurruar ta urojë mikun e tij, Khabib Nurmagomedov pasi ky i fundit mposhti Justin Gaethje dhe mbrojti titullin e peshave të lehta në UFC 254.
Nurmagomedov ka fituar në përballjen e zhvilluar në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi apo më saktë në vendin e quajtur Fight Island.
Raundi i parë prej pesë minutave ishte thuajse i barabartë me Khabib për një nuancë më të mirë, ndërsa i dyti ishte vendimtar në këtë përballje dhe Nurmagomedov tregoi forcën.
Pas disa goditjeve nga të dy luftëtarët, Nurmagomedov e lidhi mirë Gaethjen me këmbë deri sa e la pa ndjenja në oktogon dhe gjyqtari ia dha fitoren.
Pas kësaj fitore komentet ishin të ndryshme nga shumë figura të sporteve luftarake, por edhe sporteve tjera.
I tillë është edhe ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo, i cili nuk kishte s’i të mungonte me një urim për mikun e tij të mirë nga Dagestani.
Sulmuesi portugez, i cili gjithashtu ka humbur babanë në fillimin e karrierës i ka thënë Khabibit se babai i tij është krenar me këtë arritje.
“Urime vëlla. Babai yt është krenar për ty”, ka shkruar Ronaldo në profilin e tij në Instagram, teksa ia ka bashkangjitur edhe një fotografi nga meçi.
Ndryshe, Nurmagomedov në fund të ndeshjes konfirmon pensionimin nga UFC, duke theksuar se nuk mund të ndeshet pa pasur babanë e tij në krahë. /Telegrafi/