Juventusi është nikoqir i Barcelonës të mërkurën mbrëma në ndeshjen e dytë të fazës grupore të Ligës së Kampionëve.
Superylli i Zonjës së Vjetër, Cristiano Ronaldo, është në pritje që të mësojë nëse do të jetë në gjendje që të luajë përballë rivalit të tij të vjetër, Lionel Messi.
35-vjeçari është vetizoluar prej se doli pozitiv me coronavirus më 13 tetor, gjatë kohës sa ishte i angazhuar me kombëtaren e Portugalisë.
Të enjten e kaluar, ai kishte dalë sërish pozitiv duke vënë në dyshim gjasat e tij për të qenë në fushë kundër Blaugranëve.
Sot (e martë) është dita e fundit kur Ronaldo pritet të mësojë nëse do të jetë në dispozicion të Andrea Pirlos për ndeshjen e Grupit G.
Nëse rezultati për COVID-19 rezulton negativ 24 orë para ndeshjes, do të nënkuptojë përfundimin e periudhës së karantinës dhe CR7 do të jetë në gjendje të luajë.
Kjo për faktin se portugezi ishte asimptomatik në javën e kaluar kur doli pozitiv, ashtu që Juventusi i ka shkruar UEFA-s që futbollisti i vet nuk duhet t’i nënshtrohet protokollit prej shtatë ditësh para se të luajë, meqë nuk ka simptoma. /Telegrafi/