Braziliani Luis Nazario da Lima Ronaldo vlerëson se Neymari është larguar nga Barcelona për PSG-në ngjashëm me të kur u largua në drejtim të Interit.
Fenomeni brazilian e la skuadrën e Barcelonës për Interin përpara se të kthehej në Spanjë me rivalin e urryer të katalunasve, Real Madridin.
Ndërsa, këtë verë nga Barcelona është larguar edhe braziliani i talentuar, Neymar, ku sipas Ronaldos, largimi i tij drejt PSG-së është i ngjashëm me të tijin drejt Interit.
“Lojtarët duhet të kenë kohë për të parë gjithçka, ata duhet të përqendrohen në punën e tyre”, ka thënë fillimisht Ronaldo për Veja.
“Largimi i Neymarit ishte i ngjashëm me timin, dhe ndonëse nuk i di detajet apo çfarë ka ndodhur në negociata, mund të ketë qenë një çështje me bordin e Barcelonës, gjë që ishte edhe kur u largova”.
Ronaldo u pyet gjithashtu rreth asaj se a mendon që një ditë të kryej punën e trajnerit, por ka përjashtuar një gjë të tillë.
“Unë tërësisht e përjashtoj veten nga të qenit një trajner”, shtoi duke qeshur ish-fituesi i Topit të Artë.
“Nuk mund të imagjinoj 25 lojtarë që më shqetësojnë gjatë gjithë ditës, duke u përpjekur të më mashtrojnë”, përfundoi fenomeni brazilian. /Telegrafi/