Cristiano Ronaldo vazhdon të jetë njëri prej futbollistëve më të pëlqyer në botë, ndërkohë që nuk mungon modestia dhe afërsia e tij kur bëhet fjalë për miliona fansat e tij në gjithë botën.
Superylli portugez dhe bashkëlojtarët e tij të shtunën janë nisur drejt Rusisë nga Lisbona për të marrë pjesë në Kampionatin e sivjetmë Botëror.
Dhe natyrisht se shumë fansa janë mbledhur për t’i parë nga afër idhujt e tyre, ndërsa idhulli i përbashkët i të gjithëve është padyshim lojtari me numrin 7.
Një tifoz i vogël e ka pasur mundësinë që t’i qëndrojë afër, ta përqafojë dhe të përshëndetet me Ronaldon, i cili ka zbritur nga autobusi për t’ia plotësuar ëndrrën.
Njëherësh, në aeroportin Humberto Delgado, atij i është afruar një tjetër tifoz i vogël që bartte fanellën e tij.
Natyrisht se edhe në këtë rast, Cristiano është treguar i afërt duke e marrë vogëlushin dhe duke i dhënë autograf.
“Ai e do shumë ekipin kombëtar, prandaj tash është shumë i lumtur. Ka arritur të marrë nja autograf nga Cristiano Ronaldo dhe po qan nga gëzimi”, ka treguar nëna e djaloshit. /Telegrafi/