Telegrafi

Roma nuk mund ta shesë Manolasin për shkak të kushtit në kontratën e tij

Roma thuhet se e ka refuzuar ofertën e Arsenalit prej 35 milionë eurosh për Kostas Manolas, mirëpo gjasat janë të mëdha që të shitet në verën e ardhshme.

Giallorossët nuk mund ta shesin grekun këtë verë, meqë në kontratën e tij ekziston një klauzolë, sipas të cilës, Olympiakosi përfiton 50 për qind të shumës.

Klubi italian është i obliguar ta blejë gjysmën e mbetur të kartonit të mbrojtësit më 1 shtator për 6.5 milionë euro dhe para kësaj kohe nuk mund ta shesë.

Gjithçka mbi TRANSFERIMET

Sipas Corriere dello Sport, lojtarit do t’i ofrohet kontratë e re duke e rritur pagën e tij në tre milionë euro në vit.

Sidoqoftë, Manolas është i pakënaqur për moskalimin në Ligën Premier, ku do të përfitonte shumë më tepër (Arsenali thuhet se i ka ofruar pesë milionë euro për sezon).

Në rast se Topçinjtë apo ndonjë klub tjetër e kërkon në verën e ardhshme, atëherë nuk ka dyshim se Roma mund ta shesë, nëse futbollisti kërkon diçka të tillë. /Telegrafi/