Për një kohë të gjatë gruaja osmane është parë si një qenie e cila ishte e zhytur në injorancë, që e kalonte kohën në shtëpi e që merrej nëpër këmbë. Por, studimet e bëra dekadat e fundit nxorën në dritë detaje…
Nga: Eduart Caka
Jeta e femrës në Perandorinë Osmane, veçanërisht në të drejtat që asaj i njihte ligji, ishte më e rregullt. Të gjitha këto kishin të drejtat që u garantoheshin nga shteti dhe në bazë të të cilave gëzonin privilegjet që u njihte ligji islam, siç ishin e drejta e trashëgimisë, e martesës, e divorcit etj. Përveç të drejtave në familje, si fejesa e martesa, por edhe trashëgimia, gruaja kishte të drejtë të menaxhonte të ardhurat e saj, të blinte ose shiste pronat, të shkonte në gjykatë për çështje të ndryshme dhe të merrte pjesë në angazhime shoqërore – si ndërtimi i vakëfeve ose drejtimi i tyre. Duke qenë se edhe gjeografia shqiptare ishte pjesë e Perandorisë Osmane, të njëjtat fenomene dhe angazhime të gruas në pjesë të ndryshme të perandorisë vërehet se kanë qenë të dukshme edhe në trojet shqiptare.
Mungesa e mjaftueshme e literaturës së nevojshme për të nxjerrë një panoramë të jetës së gruas në këtë kohë, përbën një pengesë në kuptimin e gjendjes së femrës shqiptare gjatë kësaj periudhe, por edhe për rolin dhe të drejtat që ajo gëzonte si në familje ashtu edhe në shoqëri. Në këtë kontekst, të vetmet burime që hedhin dritë në këtë çështje mund të konsiderohen dokumentet që gjenden pranë Arkivit Qendror të Shtetit.
Kështu, vendimet e regjistrave të gjykatave të periudhës osmane japin të dhëna të rëndësishme për sa i përket jetës, aktivitetit dhe të drejtave të gruas shqiptare gjatë periudhës në fjalë. Pjesa më e madhe e regjistrave u përket shekujve XVII, XVIII dhe XIX, të cilat mbartin të dhëna të mjaftueshme në lidhje me shoqërinë shqiptare gjatë kësaj periudhe. Kështu, në bazë të të dhënave arkivore të gjetura është e mundur që aktivitetin dhe të drejtat e gruas gjatë kësaj periudhe t’i ndajmë në dy kategori: në familje dhe në jetën shoqërore.
Të drejtat e gruas në familje: Familja përbën institucionin bërthamë të shoqërisë dhe në traditën shqiptare ajo zë një vend shumë të veçantë. Duke u bazuar në ligjin islam, mund të thuhet se edhe shteti osman i kushtoi një vëmendje të veçantë familjes duke i dhënë asaj të drejta të garantuara nga vetë institucionet perandorake.
Në rastin e gruas, ligji islam dhe për pasojë dhe ai osman i dhanë të drejta që për kohën përbënin një përparim të konsiderueshëm. Kështu, njëra ndër të drejtat themelore që i jepej femrës ishte ajo e trashëgimisë. Si mashkulli, ashtu edhe femra kishte të drejtën e pasurisë së trashëguar dhe e menaxhonte atë sipas dëshirës së saj. Ajo gëzonte të drejtën e të trashëguarit gjysmën e pjesës së mashkullit me të cilin kishte afërsi të barabartë farefisnore.
Në regjistrat e gjykatave janë të shumta aktet e trashëgimisë në të cilat theksohet që ndër përfituesit e pasurive të lëna ishin edhe femrat. Për shembull, në një dokument të vitit 1701 tregohet se zotëria me emrin Xhaferr nga Mallakastra, një funksionar i lartë në Perandorinë Osmane ishte vrarë në betejën e Nishit dhe pasuria e tij trashëgohet nga e shoqja zonja Aishe, dy djemtë Aliu dhe Ahmeti dhe vajza Hanemeja. Po në kuadër të trashëgimisë, duhet theksuar se e drejta e përfitimit nuk ishte e njëjtë si për mashkullin ashtu edhe për femrën dhe varionte sipas rasteve dhe dispozitave që ligji islam kishte për rastet e veçanta. Për shembull, kur një burrë vdiste dhe si trashëgimtare kishte vetëm gruan e tij, ajo kishte të drejtën të merrte vetëm një katërtën e pasurisë së lënë, ndërsa pjesa tjetër i kalonte thesarit të shtetit.
Në raste problemesh në lidhje me çështjet e trashëgimisë, gruaja kishte të drejtë të ankohej dhe të kërkonte drejtësi në instanca zyrtare siç ishte gjykata. Madje, në lidhje me këtë aspekt, në regjistrat e gjykatës së Sheriatit të Beratit vërejmë një rast të vitit 1702, që tregon më së miri mënyrën se si gruaja e kërkonte dhe e mbronte trashëgiminë që i kishte mbetur. Sipas këtij dokumenti, gruaja me emrin Emine, e shoqja e Ahmet Beut kishte problem me trashëgiminë e mbetur nga i shoqi që i kishte vdekur, sepse vjehrra e saj Azizeja kishte vënë dorë mbi këtë pasuri dhe gjithashtu ushtronte edhe dhunë mbi nusen. Meqë çështja nuk është zgjidhur në instancat përkatëse, mësohet se ky ankim ka vajtur deri te Kadiasqeri i Rumelisë, i cili me anë të dokumentit në fjalë i shkruan kadiut të Beratit për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Rasti i sipërcituar tregon që gjatë periudhës në fjalë gruaja kishte të drejtë të hapte çështje gjyqësore dhe të kërkonte në mënyrë legale të gjitha të drejtat që i njihte asaj ligji i kohës.
Një tjetër të drejtë që gëzonte gruaja shqiptare gjatë shekujve në fjalë konsistonte dhe në aktet e fejesës dhe të martesës. Sipas kësaj, ajo kishte të drejtën e aprovimit ose jo të fejesës ose martesës me kandidatin që i propozohej. Në regjistrat e gjykatave kemi shembuj të shumtë të vajzave apo vejushave të cilat janë paraqitur përpara gjykatësit dhe kanë kërkuar “të mos u lidhet kurorë pa praninë e tyre”. Gjithashtu, ka shumë dokumente dhe studime të cilat tregojnë që këtë të drejtë e gëzonin edhe gratë e besimeve të tjera, si në gjeografinë shqiptare ashtu edhe në pjesë të ndryshme të Perandorisë.
Për t’u vlerësuar është fakti që jo vetëm femrat që jetonin në zonat urbane ishin kaq të lira në këtë aspekt, por edhe ato që jetonin në zonat rurale ndërmerrnin nisma të tilla. Për shembull, në një dokument të vitit 1695, vajza me emrin Rabie, e bija e Mahmutit nga katundi Breshtan i Beratit, paraqitet te gjykatësi dhe kërkon të mos i lidhet kurorë pa qenë ajo e pranishme.
Një dokument tjetër tregon për të krishterën e quajtur Saveta, e bija e Thanasit nga fshati Perondija, e cila paraqitet në gjykatë dhe kërkon të mos i lidhet kurorë pa lejen e saj dhe pa qenë ajo e pranishme, edhe nëse paraqiten të afërm të saj për ta martuar atë.
Në kuadër të aktit të fejesës dhe martesës, duhet theksuar se ligji islam urdhëron pagesën e një shume parash, dhurimin e një pasurie, prone ose diçka të ngjashme që dhëndri ia dhuronte nuses para martesës (mehr). Shuma e paguar varionte sipas shtresës ekonomike e sociale të cilës i përkisnin të dy kandidatët dhe vlefta e premtuar në shumicën e rasteve shënohej në dokumentin e kurorëzimit.
Ky rregull është aplikuar në Perandorinë Osmane e si pasojë edhe në gjeografinë shqiptare. Në regjistrat e gjykatave hasim raste edhe në lidhje me këtë temë. Për shembull, në një dokument të vitit 1606, në gjykatën e qytetit të Elbasanit një grua paraqitet në gjykatë duke paditur të shoqin i cili i kishte premtuar asaj para martesës një ferexhe (mbulesë e gruas myslimane) si dhuratë e më pas nuk ia kishte dhuruar. Me anë të pagesës apo dhurimit të mehrit, mendohej se femra kishte një siguri financiare e cila mbetej e saj gjatë martesës dhe që ajo kishte të drejtë ta menaxhonte sipas dëshirës dhe nevojave të veta. Në këtë kontekst, mund të thuhet se në arkiva gjenden me mijëra dokumente të këtij lloji.
Një element tjetër në kuadrin e të drejtave të gruas brenda familjes është dhe çështja e divorcit. Në raste mosmarrëveshjeje ose problemeve të ndryshme të rëndësishme brenda familjes të cilat nuk mund të zgjidheshin me anë të ndërmjetësimeve, ajo adresohej në gjykatë për të kërkuar divorcin bashkë me të drejtat që i takonin sipas ligjit. Nëse gjykata vendoste për ndarjen e kurorës, gruaja kishte të drejtën e përfitimit të pjesës së pasurisë nga i shoqi që i jepte gjykata asaj (nafaka). Shuma e paguar në rastet e divorcit varionte sipas pasurisë që posedonte familja dhe pagesa konsistonte në para e edhe në elementë materialë. Për shembull, në një rast divorci të vitit 1695 në qytetin e Beratit, gruaja me emër Fatime përfiton nga gjykata si nafaka 2000 akçe, gjashtë okë vaj dhe sende të tjera. Por, ka dhe dokumente të tjera që tregojnë për raste kur gruaja hiqte dorë me dëshirën e saj nga të drejtat që i takonin nga divorci, siç është rasti i gruas me emër Sulltane e cila deklaron se heq dorë nga përfitimet që i jepte asaj gjykata nga shkurorëzimi me Ahmet Hasanin.
Një aspekt tjetër në lidhje me të drejtat e gruas në jetën bashkëshortore, por edhe në atë brenda familjes, është dhe çështja e administrimit të pasurisë së trashëguar. Studimet e kryera të bazuara në dokumentet e kohës, tregojnë se gruaja kishte të drejtë të menaxhonte pasurinë dhe të ardhurat e saj të trashëguara nga familja e vet, të dhuruara apo fituara gjatë periudhës së martesës. Pra, brenda jetës bashkëshortore gruaja dhe burri e kishin pasurinë e ndarë, aspekt i pranuar dhe mbrojtur ligjërisht. Kështu, mbi pasurinë apo pronën që ajo posedonte mund të kryente veprime në mënyrë të pavarur, si shitje, investime, donacione, mund të jepte kredi, madje ka raste kur i jepte hua edhe bashkëshortit.
Në arkiva hasen dokumente të shumta për raste ku gratë e menaxhonin pasurinë e vet, e shisnin ose e dhuronin atë, madje në raste mosmarrëveshjeje edhe me pjesëtarët e familjes ajo kishte të drejtë ta çonte çështjen në gjykatë. Kështu, një grua nga Fanica e Beratit shet shtëpinë e saj bashkë me vreshtin për 4000 akçe, ndërsa një grua tjetër e dhuron shtëpinë e saj. Një zonjë tjetër me emrin Hanife nga lagja Tabakhane e Elbasanit deklaron se shet shtëpinë bashkë me oborr për shumën e 3700 akçeve. Gjithashtu, ka edhe raste të tjera kur gruaja ia shet ose ia dhuron bashkëshortit të saj pronën që ajo posedon. Për shembull, në një dokument të vitit 1703, mësohet se gruaja e quajtur Rabije nga një fshat i Beratit i shet të shoqit të saj një shtëpi. Ndërsa, në një dokument tjetër të vitit 1701, gruaja me emrin Fatime nga lagja Murat Çelebi e të njëjtit qytet është paraqitur në gjykatë dhe ka deklaruar se ia fal të gjithë pasurinë e saj të shoqit, Hysen Beut.
Roli i gruas në jetën shoqërore: Dokumentet dhe studimet e bëra në lidhje me periudhën në fjalë tregojnë se përveç ambientit familjar, femra ishte e angazhuar edhe në jetën shoqërore. Ato i gjejmë të punësuara në mjedise të ndryshme tregtare, por edhe drejtuese të vetë punës së vet. Pra, atyre u jepej e drejta e ushtrimit në mënyrë të pavarur të zejit që ushtronte (testir).
Për sa i përket punësimit, studiuesi Zija Shkodra ka theksuar se shumica e femrave ishin angazhuar në zeje të ndryshme me karakter shtëpiak. Ky fenomen vërehet më shumë në qendrat urbane, siç mund të përmenden qytetet shqiptare të kohës si Elbasani, Berati, Shkodra, Prizreni, Shkupi etj.
Kështu, në studimet dhe dokumentet arkivore vërehet se gra të ndryshme shqiptare të besimeve të ndryshme kanë qenë të punësuara në korporata të ndryshme, si në pëlhura, gëzofe, esenca të ndryshme etj. Veçanërisht në qytetin e Elbasanit vërehen shumë dokumente që tregojnë për gra të cilat kanë fituar të drejtën e ushtrimit në mënyrë të pavarur të zanatit që ato zotëronin, ose kanë trashëguar zanatin që mund të ketë patur prindi i vet. Vlen të theksohet që një pjesë e mirë e këtyre grave vërehet që u përkasin edhe besimeve të tjera, pra jomyslimane.
Një ndër fushat më të rëndësishme në të cilën ishin organizuar gratë gjatë shek. XVII-XIX ishin edhe vakëfet. Kishte disa arsye që i shtynin gratë të angazhoheshin në institucionet e vakëfeve. Së pari, duke patur parasysh jetën e gruas gjatë kësaj periudhe dhe faktin që ajo nuk lëvizte shumë jashtë ambienteve familjare, vakëfet ishin institucione që nuk kërkonin daljen në terren. Së dyti, ato ishin më aktive në kryerjen e aktiviteteve të bamirësisë. Deri sot nuk janë bërë studime të mirëfillta në lidhje me numrin e grave të angazhuara në vakëfe në rang perandorak, por studimet e bëra tregojnë që në një pjesë të mirë të zonave urbane ato janë marrë më shumë se burrat në këto aktivitete.
Në lidhje me Shqipërinë, nuk ka studime që tregojnë numrin e grave të angazhuara në institucionet e bamirësisë, siç ishin vakëfet (fondacionet). Por, dokumentet arkivore dhe regjistrat gjykatave tregojnë për një numër të konsiderueshëm grash, të cilat kishin ndërtuar vakëfe, kishin dhënë donacione apo kishin punuar edhe vetë në këto institucione. Madje, kemi edhe raste kur gruan e shohim si administratore (mutevelli) vakëfi, aspekt i cili vërehet rrallë në Perandorinë Osmane ku shumicën dërrmuese të drejtuesve të vakëfeve e përbënin meshkujt. Konkretisht, në një dokument të vitit 1703 bëhet fjalë për një zonjë të quajtur Kadrije, e cila emërohet administratore e një vakëfi të një xhamie në qytetin e Beratit. Po ashtu, dokumentet tregojnë edhe për zonjën Rukije në qytetin e Elbasanit e cila është kujdestarja e vakëfit të saj.
Në kuadër të kontributit dhe angazhimit të gruas në jetën shoqërore shqiptare gjatë periudhës së sundimit osman, vlen të përmendet dhe aktivizimi i tyre në përmirësimin e infrastrukturës së qyteteve. Ky angazhim gjithashtu duhet trajtuar në kuadër të vakëfeve apo veprave me karakter bamirësie të cilat u përmendën më sipër. Ka shumë dokumente dhe të dhëna që tregojnë për ndërtimin e çezmave, urave, shkollave, kervansarajeve dhe institucioneve të ngjashme nga ana e grave. Studiuesit shprehen se gjatë shek. XV-XIX ka shumë ura siç mund të përmendet ajo e Zonjës në Labovë, e Cines në Rrëzomë, e Vashës në Gur të Bardhë etj., ndërtimi i të cilave është financuar nga gra të ndryshme.
Përfundim: Siç u pa edhe më sipër, në këtë studim krijohet një panoramë e gjendjes së gruas shqiptare gjatë periudhës së Mesjetës, duke u përqendruar më së shumti në shek. XVII-XVIII. Me këtë rast janë përdorur çështjet e shqyrtuara dhe vendimet që kanë dalë në lidhje me to në regjistrat e gjykatave të sheriatit të qyteteve të ndryshme. Dokumentet arkivore tregojnë që edhe pse jetonte në një periudhë të vështirë, gruaja shqiptare gëzonte disa të drejta themelore, si e drejta e të trashëguarit, e fejesës dhe martesës, e drejta e pasurisë dhe e menaxhimit të saj, të drejtën e aplikimit në gjykata për të drejtat e saj etj. Gjithashtu, dokumentet tregojnë që ajo ishte e angazhuar edhe jashtë shtëpisë, si të marrurit me profesione të ndryshme, ashtu edhe aktivizimi në dobi të shoqërisë me anë të vakëfeve apo institucioneve të ngjashme.
Të dhënat e mësipërme tregojnë që gruaja shqiptare gjatë kësaj periudhe gëzoi disa të drejta që për shoqërinë e kohës ishin një arritje e konsiderueshme. Por, përveç të drejtave të përmendura, gruaja shqiptare haste dhe probleme e vështirësi që kishin lidhje me kushtet ekonomike të kohës, vajtjen në luftëra të burrave etj. Një fenomen tjetër negativ në lidhje me gruan i cili është evident duke nisur që nga fundi i shek. XVIII, është dhe dhënia e vajzave në moshë të mitur si shërbëtore pranë familjeve të pasura për shuma qesharake. Këto dhe shumë elementë nuk janë përfshirë në këtë punim.