Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deklaroi se në kohë kritike për sektorin e energjisë të Kosovës, është krenare që në emër të Republikës së Kosovës nënshkroi marrëveshjen me MCC.
Sipas saj kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për sektorin e energjisë dhe ekonominë e vendit.
“Ky program do të mundësojë stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, integrimin e burimeve te ripërtëritshme të energjisë dhe përgatitjen e fuqisë punëtore për punësim në sektor të energjisë, me fokus të veçantë tek gratë”, shkroi ajo në rrjete sociale.
Ajo falënderoi drejtoreshën e MCC-së për Kosovë, Sarah Olmstead dhe Udhëheqësin e ekipit vendor të zhvillimit të projektit, Lum Mita, si dhe të gjithë anëtarët e ekipit dhe të kabinetit të saj që kanë kontribuar në zhvillimin e programit.
“U jam mirënjohëse ekipeve të Qeverisë së Kosovës dhe të MCC-së për punën e madhe të bërë për të ardhur deri këtu, dhe zotohem që do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të realizuar programin sa më shpejtë që është e mundur, në përputhje me nevojat dhe kërkesat e sektorit”, shtoi Rizvanolli.
Kosova nënshkroi marrëveshjen me MCC në vlerë prej 236.7 milionë euro projektet e të cilit do të fokusohen në sektorin e energjisë.