Veshje pa limit, udhëtime luksoze dhe një kontratë të vlefshme 1.5 milionë funte, mësohet se janë detajet e ofertës së re për Rita Orën për t’u larguar nga “The Voice”.
Bosi i spektaklit “X Factor”, Simon Cowell, mësohet se ka shtuar ofertën për ta bindur Rita Orën të nënshkruajë për të qenë në panelin vlerësues të spektaklit të tij.
Cowell, 55-vjeçar, sipas Daily Mail është në negociata të avancuara me kosovaren 24-vjeçare, e cila do të zëvendësonte Mel B dhe Louis Walsh, pasi edhe miku i saj i mirë Nick Grimshaw i është bashkuar panelit.
Simon, i cili iu ribashkua panelit vitin e kaluar, ka bërë tre pika kryesore në ofertën e tij për Ritan, që i ndihmojnë asaj të vazhdojë të ndërtojë karrierën ndërkombëtare, në mesin e tyre edhe një aeroplan privat.
“Ai ka lëshuar një ofensivë jashtëzakonisht tërheqëse. Ai thotë se ajo mund të harxhojë çfarë dëshiron në fustane për paraqitjet e saj në spektakël, ashtu që të mund të duket bukur”, ka thënë burimi për gazetën Britanike, transmeton Telegrafi.
“Pjesa e tij e fundit është një marrëveshje e madhe parash. Ai e ka shtuar kontratën në 1.5 milionë funte. Marrëveshja është shumë e madhe krahasuar me atë sa BBC mund ta paguajë atë”, ka shtuar burimi.
Mail ka kontaktuar edhe me përfaqësuesin e Rita Orës, por ai nuk ka komentuar spekulimet. /Telegrafi/