Telegrafi

Rita Ora kërkon falje për shkeljen e dytë të rregullave të izolimit: Nuk u karantinua pasi u kthye nga Egjipti në Angli

Foto: Victor Virgile/Gamma-Rapho/Getty Images

Këngëtarja shqiptaro-britanike, Rita Ora, ka kërkuar falje pasi dolën raportet se ajo duhej të ishte vet-izoluar kur festoi ditëlindjen në një restorant në Londër muajin e kaluar.

30-vjeçarja fluturoi për në Egjipt me një aeroplan privat më 21 nëntor për të performuar në hotelin me pesë yje “W” në Kajro, një paraqitje për të cilën ajo u pagua me një shumë prej gjashtë shifrash, njoftoi Mail on Sunday.

Ajo u kthye në Angli të nesërmen dhe u kërkua, sipas rregullave të karantinës së qeverisë, të vetë-izolohej për 14 ditë, shkruan The Guardian.

Foto: Rita Ora/Instagram

Në vend të kësaj, Ora organizoi festën e saj të ditëlindjes në restorantin ‘Casa Cruz’ në lagjen Notting Hill, Londra perëndimore më 28 nëntor – në vetvete një shkelje e kufizimeve të coronavirusit për të cilat ajo më parë ka kërkuar falje.

Pasi dolën lajmet për festën, këngëtarja tha se ishte “thellësisht e penduar” për veprimet e saj dhe ofroi të paguante një gjobë prej 10,000 funtesh si dënim për organizimin e festës.

Lexo po ashtu Edhe kolumnisti i famshëm britanik Ryan-Mark Parsons drejton kritika të ashpra për Rita Orën lidhur me festën e ditëlindjes

Mail on Sunday raportoi se presidenti egjiptian, Abdel Fatah al-Sisi, ishte midis atyre që morën pjesë në ngjarjen që Ora ishte rezervuar për të kënduar në Kajro.

Foto: Rita Ora/Instagram

Përveç faljes së saj, Ora tha të shtunën se do të dhuronte çdo fitim nga mbrëmja për bamirësi.

Në një deklaratë, ajo tha: “Kohët e fundit kam fluturuar për në Egjipt për të performuar në një ngjarje korporate për një kompani private, ku stafi im i udhëtimit ndoqi protokollin dhe paraqiti teste negative për Covid me rastin e hyrjes, siç kërkohet nga autoritetet egjiptiane”.

“Pas kthimit tim në Britani, duhet të kisha ndjekur këshillat qeveritare dhe të izolohesha për periudhën e kërkuar. Siç e dini, unë nuk i ndoqa këshillat e qeverisë dhe… Unë përsëri kërkoj falje, pa rezerva”, ka thënë Rita Ora.

Foto: Rita Ora/Instagram

“Ndërsa e kuptoj që fjalët apologjetike të një ylli të popit nuk mund të kenë shumë peshë, veçanërisht dikush që ka thyer rregullat si unë, unë e kuptoj që disa mund të kërkojnë të ndjekin shembullin tim”, ka thënë më tej këngëtarja shqiptare.

“Mesazhi im për ta është i thjeshtë: Ju lutem mos. Faji dhe turpi që kam mbajtur këtë javë për gabimin tim nuk ia vlen. Në vend të kësaj, vazhdoni të dëgjoni këshillat e qeverisë dhe zërat e heronjve të NHS-së (Shërbimi i Shëndetit Kombëtar në Angli) dhe të merrni masat e nevojshme paraprake”, shprehet 30-vjeçarja.

Lexo po ashtu Rita Ora 'grushton' veten në videon sensibilizuese për Shërbimin e Shëndetit Kombëtar në Angli

Ajo shtoi se shpresonte që “një ditë ta bënte atë për publikun që më ka dhënë kaq shumë mbështetje gjatë viteve dhe, në veçanti, ta bëjë atë për heronjtë e NHS-së”.

Rita gjithashtu tha se ka ribërë një test të mëvonshëm të coronavirusit, i cili përsëri ishte negativ. /Telegrafi/

Foto: Rita Ora/Instagram