Site icon Telegrafi

Rita Ora injoron Medaljen e Kosovës!

Këngëtarja me famë botërore Rita Ora, ka nderin të jetë e vetmja e dekoruar me Medaljen ‘Ambasador Nderi i Kosovës’, nga Presidenca e Kosovës. Por si duket ajo nuk e ka fort gajle për këtë gjë.

Kjo sepse po bëhen gati tri vite që kur ylli botëror është dekoruar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë më 2012-n, e Ora as që e ka marr mundin të vijë në vendlindje për ta pranuar Medaljen, transmeton ORAinfo.

Madje për këtë gjë as që pati falënderuar atë kohë Presidenten Atifete Jahjaga.

Në webfaqen e Presidencës që nga 28 nëntori i vitit 2012, shkruhet se Medalja do t’i ndahet në një rast tjetër. E po të njëjtat fjalë i thonë edhe sot zyrtarët e Presidencës.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga e ka dekoruar Rita Orën me Medaljen Ambasador Nderi i Kosovës. Rita Ora është dekoruar nga Presidentja Jahjaga me rastin e 28 Nëntorit 2012. Dekorata asaj do t’i jepet në një ceremoni të veçantë, të organizuar në një rast të tjetër”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zyrës për media të Presidencës për ORAinfo.

Kjo e fundit as që ka marr mundin të sqaroj se kur pritet të vijë Ora në Kosovë për t’ia dorëzuar Medaljen.

Arsye për këtë vonesë nuk kanë dhënë as familjarët e Ritës të cilët ORAInfo ka tentuar t’i kontaktoj në Facebook, në pamundësi të kontakteve të tjera. Babai dhe nëna e këngëtares, Besnik dhe Vera Sahatçiu, nuk u janë përgjigjur pyetjeve në mesazhet e dërguara në FB.

Exit mobile version