Të martën është mbajtur mbrëmja e madhe e ndarjes së çmimeve “American Music Awards”.
Në këtë mbrëmje yjesh, nuk mungoi edhe prezenca e tri këngëtareve shqiptare me famë botërore: Rita Ora, Dua Lipa, dhe Bebe Rexha.
Secila nga vajzat dukeshin glamuroze, ndërsa morën gjithë vëmendjen me paraqitjen e tyre.
Këngëtarja Rita Ora erdhi me një fustan të zi, të qëndisur me trëndafila të vegjël, ndërsa dukej tërheqëse me një model flokësh të kapura.
Së bashku me Constance Wu, ato prezantuan në skenën e AMA çmimin “Dueti/Grupi më i mirë i zhanrit Pop/Rock”, çmim të cilin e fituan grupi Migos.
Paraqitja atraktive e Ritës është komentuar edhe në shumë prej mediave të huaja, teksa përveçse gjithë shqiptarët, Rita i bën edhe më shumë krenarë familjarët e saj.
Ishte nëna e Ritës, Vera Sahatçiu-Ora, ajo e cila publikoi një fotografi të vajzës së saj në Instagram, duke treguar se sa krenare ishte për paraqitjen e mrekullueshme të vajzës së saj në tapetin e kuq.
“Rita Ora absolutisht e mrekullueshme në tapetin e kuq, nënë krenare”, janë fjalët e Vera Orës në Instagramin e saj. /Telegrafi/