Telegrafi

Rita Ora dhe Dua Lipa “përplasen” virtualisht me njëra-tjetrën se cila pati më shumë publik në koncertet në Tiranë dhe Prishtinë

Këngëtaret me prejardhje shqiptare, Rita Ora dhe Dua Lipa, i kanë bënë krenarë të gjithë bashkëkombësit e tyre anë e kënd globit me sukseset në muzikë.

Vajzat të cilat kanë pasur një histori thuajse të njëjtë të suksesit dhe kanë prejardhje nga i njëjti qytet i Kosovës, fatkeqësisht nuk gëzojnë raporte të mira ndër vete.

Shpesh herë ato nuk kanë hezituar që të thumbojnë njëra-tjetrën në rrjetet sociale, ndonëse kur janë pyetur publikisht nga gazetarët nëpër konferenca, kanë folur mirë për kolegen.

Por se kanë një “armiqësi”, kjo dukshëm është parë nga postimi i tyre në rrjetet sociale ditën e së martës.

Një ditë pas koncertit të Dua Lipës në Tiranë për 28 nëntor, një faqe e fansave publikoi një postim në rrjetin social Twitter të cilin ajo e ka rishpërndarë në InstaStory, ku citohej se interpretuesja e hitit “New Rules” ka pasur mbi 200 mijë vetë prezentë në koncertin e saj.

Foto: Dua Lipa/InstaStory

Sipas kësaj faqe, ky ishte një rekord botëror, sipas të cilit këngëtarja shqiptare ia paska kaluar me publik edhe artistes Tina Turner, të një koncerti të saj në vitin 1988.

E nuk mungoi shumë kur edhe Rita Ora “goditi” me një postim në InstaStory – një njoftim gjithashtu të rishpërndarë nga një faqe e fansave e saj.

Foto: Rita Ora/InstaStory

Nga ai postim rikujtohej koncerti i këngëtares Ora në sheshin Prishtinës më 17 shkurt 2018, kur po kremtohej festa e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Sipas shifrave të kësaj faqe, në koncertin e Ritës ishin mbi 300 mijë persona, ndërsa në koncertin e sivjetmë që ajo mbajti në Tiranë më 6 shtator ishin 250 mijë.

Foto: Rita Ora/Instagram

Ky postim i artistes së hitit “Hot Right Now” është parë si një thumb i hapur ndaj Dua Lipës, për t’i treguar se koncerti i saj ka pasur një numër më të madh njerëzish dhe se Dua nuk ka thyer asnjë rekord.

Sido që të jetë, të dyja këto pretendime mbesin të tilla pasi shifrat janë publikuar nga faqet e fansave dhe nuk janë shifra zyrtare – por një gjë është e sigurt, që postimet në fjalë tregojnë se dy vajzat e talentuara me origjinë nga Peja nuk bëjnë paqe me njëra-tjetrën. /Telegrafi/

Rita Ora në koncertin e 17 shkurtit 2018 në Prishtinë (Foto: Armend Nimani/AFP via Getty Images)

 

Dua Lipa në koncertin e 28 nëntorit 2022 në Tiranë (Foto: Reuters)