Muzikantët Emma Bunton, Rita Ora dhe Tom Fletcher kanë nisur apelin e vitit 2024 për ‘BBC Children In Need’. Nisma bamirëse ka thënë se ka nevojë për mbështetje dhe aktualisht është në gjendje të ndihmojë një në tetë organizata për fëmijë që aplikojnë për fonde.
Për të frymëzuar njerëzit të dhurojnë, të famshëm janë bashkuar me ‘BBC Children In Need’ për të ndarë histori personale të fëmijërisë së tyre dhe një këshillë për veten e tyre më të re që do t’i kishte ndihmuar të lehtësonin jetën si fëmijë, shkruan The Eveneing Standard.
Ish-anëtarja e Spice Girl, Emma Bunton tha: “Ndihma për fëmijët dhe të rinjtë të shkarkojnë çdo shqetësim apo ankth që mund të jenë duke përjetuar është shumë e rëndësishme për mirëqenien e tyre të përgjithshme. Duke shikuar pas te fëmijëria ime, do t’i thoja vetes sime të re që të besoj në zemër, të besoj vetes, të jem e fortë dhe të jem ti që dëshiron të jesh”.
Rita Ora tha: “Të qenurit e re në shoqërinë e sotme është jashtëzakonisht e vështirë, ka shumë shqetësime dhe sfida që mund të grumbullohen brenda dhe që kanë nevojë të shkarkohen për të mbështetur mirëqenien e të rinjve. Unë po i bëj thirrje njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar të mbledhin fonde për ‘BBC Children In Need’ këtë vit dhe të ndihmojnë në lehtësimin e ngarkesës për fëmijët që përballen me sfida në të gjithë vendin”.
Ajo shtoi se duke ofruar udhëzimet dhe këshillat e duhura për të rinjtë mund të ndihmojë në zvogëlimin e ndjenjave të ankthit dhe nëse mund të jap një këshillë për veten time më të re, do të ishte që “edhe kjo do të kalojë”.
Ylli i McFly, Tom Fletcher, së bashku me gruan e tij – Giovanna Fletcher, kanë dizajnuar bluzën zyrtare të ‘BBC Children In Need’ të këtij viti.
Të famshëm të tjerë, përfshirë ish-atleten Dame Jessica Ennis-Hill, yllin e ‘Made In Chelsea’, Jamie Laing dhe gruan e tij Sophie Habboo, yjet e ‘Strictly Come Dancing’ dhe çiftin Janette Manrara dhe Aljaz Skorjanec, komedianin Lenny Rush dhe notaren paralimpike Ellie Simmonds, gjithashtu po kërkojnë nga njerëzit të mbledhin fonde për ‘Children In Need’.
Paratë e mbledhura financojnë qendra familjare, hapësira komunitare, klube rinore dhe strehimore; strehë për të pastrehët, bujtina dhe linjat telefonike ndihmëse në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. /Telegrafi/