Ka tashmë disa ditë që në media qarkullon një lajm për distancimin e menjëhershëm dhe të paparashikuar të reperes Rina Balaj nga muzika.
Rep-artistja me prejardhje nga Istogu ka vendosur që për momentin t’i stagnojë projektet e saj muzikore, ndonëse në rend ishin plot tre të tilla për t’u publikuar.
Në mbrëmjen e së martën, ka qarkulluar në disa prej mediave lajmi se shkaku i kësaj distance, janë disa mos-marrëveshje me menaxherin e label-it të saj, Mehmet Elshani, nga ON Records.
Mirëpo ky i fundit, i kontaktuar nga Telegrafi ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se lajmi në fjalë është plotësisht i pavërtetë.
Ai tregon se arsyet e largimit të Rinës janë private dhe se mes tyre raportet janë të shkëlqyera.
“Jo, është plotësisht e pavërtetë. Unë dhe Rina kemi raporte shumë të mira dhe nuk ka pasur asnjë ngatërresë mes nesh. Hiç më larg se sot (e martë), vajza ime kishte ditëlindjen dhe ka marrë një urim shumë shoqëror dhe të përzemërt nga vet Rina”, ka thënë menaxheri i ON Records, Met Elshani për Telegrafin.
I njëjti ka treguar më tej se Rina vendosi që për momentin të distancohet nga muzika, për arsye që i di vet ajo.
“Rina është distancuar pak nga muzika për momentin dhe kjo u bë e ditur përmes rrjeteve sociale, ndërsa arsyet e marrjes së këtij vendimi, i din vet ajo. Se a do të kthehet apo jo, ky është vendim që tashmë i takon asaj. Ne si label shqyrtuam kërkesën e saj për pauzim në muzikë, dhe ia aprovuam pasi nuk mund të “detyrojmë” dikë që të këndojë”, tha tutje menaxheri aktual i reperes.
Në anën tjetër, Rina Balaj ka bërë një tërheqje momentale edhe nga rrjetet sociale, dhe njoftimi për largimin e saj të përkohshëm nga muzika, u bë i ditur nga motra e saj, Rudina Balaj, përmes rrjetit social Instagram. /Telegrafi/