Feronikeli ’74 ka arritur të sigurojë mbijetesën në elitën e futbollit kosovar, pasi fitoi ndeshjen e barazhit ndaj Prishtinës së Re me rezultat 1-0, ku golin e vetëm e shënoi Alban Shillova.
Sulmuesi i njohur fillimisht shënoi pak pa u mbyllur ndeshja, por goli i tij u anulua nga VAR për pozitë jashtë loje.
Por Feronikeli 74 dhe Shillova nuk u dorëzuan dhe gjetën sërish rrjetën, kur sulmuesi me një goditje të bukur brenda zonës shënoi golin e fitores.
Shillova që kishte shënuar katër gola në të gjithë sezonin u fut në lojë në pjesën e dytë, ku arriti të vendos takimin, ndërsa pas tij ishte i lumtur.
“Jam shumë i kënaqur. U futa në lojë në pjesën e dytë, e dhashë maksimumin dhe e vendosa ndeshjen. Jam i lumtur që edhe vitin tjetër skuadra e Feronikelit 74 do të jetë pjesë e Superligës. Gjatë gjithë vitit kemi tregu ndeshje të mira por edhe fati nuk ka qenë me ne. Megjithatë, në fund përfundoi gjithçka mirë”, është shprehur Shillova për “Art Motion” pas ndeshjes.
Sulmuesi prishtinas në fillim të këtij vit, kishte një tragjedi në familje, pasi gruaja e tij ndërroi jetë në moshë të re pas një sëmundje.
Në fund ai tregoi edhe mbrojtëset e tij, ku shihej një foto me gruan dhe një foto të vajzës së tyre.
Edhe përkundër vuajtjeve të shumta, Alban Shillova u kthye në momentin më vendimtar për Feronikelin, duke ia siguruar fitoren dhe duke konfirmuar se ai mbetet një nga sulmuesit më të mirë në qarkullim në futbollin kosovar.
/Telegrafi/