Site icon Telegrafi

Rikardi III: E vërteta pas dramës makabre të Shekspirit

Njihet nga të gjithë si mbreti makabër që kreu vrasje të pafundme për pushtet. Por, ndoshta, Shekspiri (William Shakespeare) ishte vegël në duart e pushtetit të kohës të cilët synuan të legjitimojnë veten duke sharë paraardhësin

Nga: Greig Watson

Imazhi i një maniaku vrasës të krijuar nga Shekspiri, është thjesht një propagandë – tregojnë të dhënat historike që thonë se ai nuk ishte aq i tmerrshëm sa paraqitet në letërsi. Por, edhe mbështetësit më të mëdhenj të Rikardit III nuk mund të mohojnë faktin se ky mbret vdiq i izoluar, i tradhtuar dhe i mposhtur nga rebelimi i dytë gjatë sundimit të tij të shkurtër.

Ishte vëllai i mbretit dhe mbrojtës i fëmijëve të mbretit, por u varros në një varr të harruar dhe u prezantua në histori si lugat. Por, çfarë ndodhi me të vërtetë me Rikardin III?

Jeta e tij ilustron një periudhë kyçe për Anglinë e shekullit të pesëmbëdhjetë, pas shumë dekadash lufte civile që ndau familjet më dysh.

Lexo po ashtu Mjeshtri i aktrimit, flet për jetën dhe anët e errëta të tij: Mbreti Lir nga perspektiva e Anthony Hopkinsit

Ishte tetë vjeç kur babai i tij, Rikardi i Jorkut, dhe i vëllai Edmundi, vdiqën në betejë dhe ai kaloi dy periudha të gjata në ekzil jashtë vendit. Kur vëllai i tij Eduardi IV u rikthye në fron më 1471, Rikardi filloi të ndërtojë një reputacion si lojtar pushteti i jashtëzakonshëm.

Lynda Pidgeon, kërkuese për Shoqërinë “Rikardi III”, ka thënë: “Luftoi për të vëllain dhe dëshmoi besnikërinë e tij për të në kohë të vështira. Pasi u emërua dukë i Glouçesterit, menaxhoi Anglinë e veriut me shumë efikase. Rikardi III krijoi një këshill për të përfaqësuar interesat e zonave dhe organizoi trupa për t’u përballur me skocezët. Ai u kujdes për njerëzit e vet dhe bëri shumë dhurata fetare, ndërsa u përpoq që të sigurohej se ata që jetonin në zonën e egër të Jorkshairit të kishin shërbime fetare. Nuk u kujdes vetëm për fisnikët, por edhe për të varfrit.”

Mbreti Eduard IV vdiq papritur më 1483, gjë që ndryshoi balancën e pushtetit. Në një farë mënyre, këtu gjërat filluan të ecnin keq. Trashëgimtari i Eduardit ishte vetëm 12 vjeç dhe mbajtja e pushtetit prej tij ishte e pasigurt. Përveç kësaj, nëna e mbretit të ri dhe familja e saj janë të etur për pushtet. Dhe, kjo gjë po ndodhte në një vend që prej dekadash kishte pasur pazare dhe rivalitete për pushtet.

“Rikardi ishte thjesht i ulur mbi fuçi baruti”, thonë historianët. Në betejën për pushtet që vijoi, Rikardi ekzekutoi shumë fisnikë dhe i vendosi Eduardin V dhe vëllain e tij më të vogël në Kullën e Londrës. Brenda pak ditësh, ligjshmëria e dy princërve u vu në dyshim dhe Rikardit iu ofrua kurora.

Lexo po ashtu Enigma Shekspir: A ishte bardi, grua?

John Ashdown-Hill, autori i një libri mbi ditët e fundit të Rikardit, thotë: “Kjo nuk ishte një trashëgimi e drejtpërdrejtë. Rikardi pretendoi se fëmijët e vëllait të tij qenë të paligjshëm dhe kjo ishte e mjaftueshme që ai të pretendonte kurorën për vete”.

Por, ky hap krijoi një të çarë mes atyre që mbështesnin familjen e Eduardit IV dhe atyre që e shihnin Rikardin si një udhëheqës më të ligjshëm e më të aftë. Natyrisht, kjo shoqërohej me një numër të madh aleancash fluide, të cilat njerëzit i bënin në llogari të interesave të veta personale për tokë dhe para. Rikardi u kurorëzua më 6 korrik 1483, një lëvizje e mbështetur nga Parlamenti.

Por, pas kësaj, punët filluan të shkojnë keq. Fillimisht dolën fjalë për fatin e princave të mbyllur në Kullën e Londrës të cilët nuk qenë parë për ca kohë. Pastaj, vdiq fëmija i vetëm i ligjshëm i Rikardit, dhe pak më vonë edhe bashkëshortja e tij. Kjo e shkatërroi mundësinë për stabilitet të dinastisë.

Një ish-aleat, duka i Bakingamit, e udhëhoqi një rebelim të shkurtër më 1483, por shkatërrimi i tij nuk i bindi të tjerët të hiqnin dorë. Pidgeon thotë: “Kur Rikardi u përball me Henri Tudorin në Bosuorth, që të dy kishin një bërthamë mbështetësish, por përreth tyre shumica e fisnikëve thjesht po prisnin për të parë se nga cila anë frynte era”.

Rikardi duket se u besoi njerëzve që nuk duhej t’i besonte. Njëri nga fisnikët nuk doli në fushëbetejë, ndërsa një tjetër ndryshoi krah dhe luftoi për armikun e tij.

Lexo po ashtu Dramat e Shekspirit janë frymëzuar nga fqinjët e tij në Londër?

Vdekja e tij ishte vetëm fillimi i ndëshkimit për Rikardin. Ashdown-Hill thotë: “Është normale që një udhëheqës i mposhtur të shahet nga armiqtë e tij politikë, por në këtë rast, për Henrin III kjo ishte shumë e rëndësishme, sepse pretendimi i tij për fronin qe tepër i dobët në krahasim me atë të Rikardit”.

Henri u përpoq të fuqizonte pretendimin e tij duke u martuar me vajzën e Eduardit IV, por edhe duke e përshkruar Rikardin si një batakçi monstruoz.

Askush nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur me princat në Kullë dhe nëse ata qenë gjallë kjo ishte sfidë serioze për fronin e Henrit. “Duke e shpallur Rikardin si vrasës të tyre, Henri III vrau dy zogj me një gur. Historianët e Turodëve krijuan edhe përshkrime më makabre për ish-mbretin, përshkrime të cilat Shekspiri i transformoi në një mit popullor”.

Më 1453, mbreti Henri VI pati krizë nervore dhe Rikardi, duka i Jorkut, u bë mbrojtësi i tij. Mbreti e rimori veten më 1455, por ndërkohë një luftë civile filloi mes fraksioneve jorkiste dhe Lankastrane. Lufta për pushtet u quajt Lufta e Trëndafilave Periudha shihet si një kohë trazirash të stërmëdha morale, ushtarake dhe politike. Vdekja e Rikardit III në betejën e Bosuorthit më 1485 i dha fund edhe kësaj lufte. /Telegrafi/

Lexo po ashtu Zonja Makbeth: Gruaja më e keqkuptuar në dramaturgjinë botërore!?

 

 

 

Exit mobile version