Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, rifilloi punën, me ç’rast ka mbajtur takim me menaxhmentin e lartë, në të cilin u diskutuan aktivitetet në vijim, planet dhe objektivat për këtë vit.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se bazuar në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës , i cili ka konstatuar se shkarkimi i drejtorit Murtezaj ka qenë i kundërligjshëm, andaj kryeministri Albin Kurti, në zbatimin të vendimit të KPMSHCK më 17 maj 2021, ka marr vendim për kthim të menjëhershëm të Ilir Murtezajt në pozitën e drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës.
Drejtori Murtezaj tha se do të vazhdojnë që të punojnë më përkushtim aty ku e kanë lënë punën.
“Prioritetet dhe objektivat e ATK-së do të kenë jetësim, nëse secili prej nesh do të punojë me profesionalizëm dhe dinjitet. Po ashtu, ai tha se jemi dëshmitar që ATK sikurse çdo institucion tjetër është duke u përballur me pasojat e pandemisë COVID 19, mirëpo, theksoj se ne jemi ata që mund të ri-marrim prapë proceset të cilat janë dëmtuar”, tha ai.
Drejtori Murtezaj në fund të këtij takimi potencoi se shteti më shumë se kurrë ka nevojë të fuqizohet. /Telegrafi/