Anësori i Bayern Munichut, Franck Ribery, ka thënë se kishte pritur ta fitonte Topin e Artë në vitin 2013.
Francezi akoma nuk mund ta besojë sesi çmimi prestigjioz i atij viti iu dha Cristiano Ronaldos, përderisa ai me Bayernin kishte fituar të gjitha trofetë e mundshme, duke u nisur nga Kupa e Gjermanisë, Bundesliga dhe Liga e Kampionëve.
34-vjeçari e quan si të pakuptimtë mënyrën sesi është përzgjedhur fituesi dhe e ndjen se ai trofe i është vjedhur.
“Jam ndier sikurse dikush ma ka vjedhur Topin e Artë”, ka thënë Ribery, transmeton KP.
“Është e pakuptueshme. Atë vit kam fituar çdo trofe të mundshëm, nuk e di se çfarë është dashur të bëja më shumë. Ishte shumë e padrejtë”.
“As shteti im nuk më ka përkrahur. Kam parë shumë raste kur vet francezët kanë thënë që Cristiano duhet ta fitojë”.
“A ka thënë ndonjë portugez që Ribery ose Messi duhet të shpallen fitues? Patjetër që jo”, ka theksuar futbollisti.
Ribery madje atë vit ka përfunduar i treti, edhe pas Ronaldos edhe pas Messit.