Janë mbyllur të gjitha ndeshjet e javës së 33-të të Superligës së Kosovës, ku shumica e rezultateve dolën ashtu siç ishin parashikuar.
Hiq ndeshjen, Gjilani – Llapi, ku u luftua deri në sekondën e fundit dhe u mbyll baras 1-1, në ndeshjet tjera fituan skuadrat që ishin parashikuar të fitonin.
Golit të Senad Jarovic iu kundërpërgjigj Muhamet Hyseni, në barazimin që nuk i kreu punë aq shumë as Gjilanit e as Llapit.
Ballkani fitoi ndaj Malishevës me rezultat 2-0, me golat e Bajram Jashanicës dhe Bernard Karricës. Kjo ishte fitorja e pestë e Ballkanit ndaj Malishevës këtë sezon.
Drita fitoi ndaj Prishtinës si mysafir me rezultat 2-1, me kryeqytetasit që tashmë po mendojnë te finalja e Kupës së Kosovës dhe si formacion startues, po luajnë me lojtarë që nuk kanë luajtur shumë minuta.
Dukagjini mposhti Fushë Kosovën me rezultat 2-1, ndërsa Feronikeli 74 fitoi ndaj Lirisë me rezultat 4-1.
Ballkani pasi fitoi sot mbetet lider me 69 pikë, katër më shumë se Llapi dhe Drita që janë në pozitat dy dhe tre.
Malisheva mbetet e katërta me 53 pikë, ndërsa Prishtina është e pesta me 46 pikë.
Dukagjini tani ka 42 pikë në pozitën e gjashtë, ndërsa Feronikeli 74 ka 37 pikë në vendin e shtatë dhe momentalisht i ik zonës së barazhit.
Gjilani është i teti me 36 pikë dhe mban pozitën që dërgon në barazh. Fushë Kosova me 20 pikë dhe Liria me 14 pikë janë larguar tashmë nga elita e futbollit kosovar.
Në javën e ardhshme, atë të 34-të do të takohen: Liria- Gjilani, Drita – Feronikeli 74, Llapi – Malisheva, Ballkani – Fushë Kosova dhe Dukagjini – Prishtina. /Telegrafi/